Të paraburgosurit në Speciale të pakënaqur me ushqimin, orarin e shëtitjes e vizitat e familjarëve

507

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë në krye me Zëvendësministrin e Drejtësisë Blerim Sallahu, Këshilltarin e Lartë dhe Shefin e Kabinetit Genc Nimoni si dhe Udhëheqësen e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë Pranvera Ejupi – Hajzeraj, kanë vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Hagë.

Siç thuhet në komunikatë, gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në takim është diskutuar për funksionimin e gjithmbarshëm të rendit shtëpiak, kushtet e trajtimit të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe Ndihmën Juridike Falas ndaj tyre”, thuhet në komunikatë.

Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.

Shqetësimet e tyre sipas MD-së janë diskutuar edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara znj. Ekatarina Trendafilova, Regjistren e Dhomave të Specializuara znj. Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. /Lajmi.net/

Comments