Vazhdojnë protestat në Veri, sulmohet makina e policisë së Kosovës

152

Për të tretën ditë në komunat veriore të Kosovës po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Xhamat e një veture të Policisë së Kosovës u thyen në Zveçan. Automjeti që sulmoi veturën e Policisë, iku nga vendi i ngjarjes.

Pos këtij incidenti protestat e sotme në të gjitha komunat e veriut po zhvillohet e qetë.
Ata kanë vendosur një flamur gjigant të shtetit të tyre në Zveçan dhe Zubin Potok.
Serbët insistojnë në tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës dhe largimit të krerëve shqiptarë të komunave.

Nga ana tjetër ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme. Ai përsëriti akuzat se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë. Ai i cilësoi vendimet e Kosovës si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”. Ai, po ashtu, tha se janë përcaktuar vijat e kuqe.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për – Zoti na ruajttë – skenarë ku dikush vret serbë”, u shpreh Millosh Vuçeviq, Ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

Por ndaj këtyre paralajmërimeve për ushtrinë serbë në kufi me Kosovën reagoi kryeministri shqiptar Edi Rama. Nga Bratisllava ai tha se ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero

“Po përqendrohesha tek ajo që shkruhej, “ushtria serbe në kufi”, kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me SHBA-të, çfarë mund të bëjë? Me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën, por çfarë mund të bëjë, asgjë, absolutisht asgjë, ka të bëjë me politikën e brendshme”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka shprehur brengë për situatën e krijuar në veri të vendit duke thënë se ajo është rezultat i “politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti Aleksandar Vuçiq”.

Përmes një komunikate, ASHAK ka thënë se Serbia mbetet faktor destabilizues në rajon dhe i ka dënuar aktet e dhunës në veri të vendit, si pasojë e të cilave janë plagosur 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it. /Alsat.mk

Comments