Nis kthimi i haxhinjve kosovarë nga Medina, shkak i vonesës mbingarkesat e fluturimeve

357

Grupi i haxhinjve kosovarë që gjenden në Medine të Arabisë Saudite, sot ka nisur kthimin në vendlindje.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosova, kryeimami dhe drejtori i haxhit nga Bashkësia Islame, Vedat Sahiti. Ai ka pranuar se janë vonuar pak, por e gjitha ka ndodhur për shkak të mbingarkesës së fluturimeve në shtetin arab.

“Nga sot fillojnë fluturimet e kthimit dhe vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, deri më datën 12 korrik. Është e vërtetë se kemi pasur pak vonesa për shkak të mbingarkesës së fluturimeve, të cilat përcaktohen nga aviacioni civil i Arabisë Saudite”, ka thënë Sahiti për Klan Kosova.

Sipas kryeimamit, këtë vit, në vendin e shenjtë kanë zbarkuar më shumë besimtarë se në dhjetë vjetëte fundit, andaj problemet me fluturime janë normale në këso situata. Me përvojë të tillë, ka shtuar ai, janë përballur edhe grupet tjera nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Turqia.

Ndërkaq tha se asnjë nga haxhinjtë kosovarë nuk ka probleme shëndetësore deri tash.

“Haxhinjtë e Kosovës janë shumë mirë. Përkundër moshës së shtyrë të haxhinjve nga Kosova, nuk kemi pasur asnjë rast vdekjeje deri tani, kjo falë edhe përkushtimit të ekipit mjekësor që është përkujdesur gjatë gjithë kohës për shëndetin e haxhinjve tanë”, ka treguar Sahiti.

Një ditë më parë, Klan Kosova raportoi për mundësinë e vonesës së kthimit të myslimanëve kosovarë nga Medineja.

Sivjet, nga Kosova kanë udhëtuar 1597 besimtarë për ta kryer haxhin.

Comments