MASHT-i sqarohet për “monitoruesin e lajmeve që atakojnë ministrinë”: U përdoren terma jo adekuat, kërkojmë falje

143

Ministria e Arsimit përmes një komunikate për media është sqaruar lidhur me tenderin që e kanë hapur e ku një nga detyrat e monitoruesit për mediat ishte që të “monitorojë lajmet që atakojnë ministrinë”.

Në komunikatë thuhet që janë përdorur terma joadekuat.

“Gjatë hartimit të këtyre termave të referencës, ku pa dashje janë përdorur terma joadekuat. Për këtë lëshim të paqëllimshëm, Divizioni për Komunikim Publik u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Nga MASHT kanë thënë se ky gabim është lëshuar nga Divizioni i Komunikimit dhe kanë kërkuar falje.

“Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, DKP ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Monitorimi i mediave është detyrë të cilën, Divizioni për Komunikim Publik (DKP) e kryen për shumë vite dhe kjo i ka shërbyer në vazhdimësi MAShTI-t për t’a mbajtur të informuar për lajmet që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është qëllim i MAShTI-it për t’i kritikuar mediat lidhur me lajmet që i publikojnë, apo për të ndikuar në politikat e tyre redaktoriale”, thuhet ndër të tjera./Express/

Comments