Gjykata Ndërkombëtare-Izraelit: Stop ofensivës në Rafah!

274

Izraeli me udhëzimin e Gjykatës Ndërkombëtare duhet të ndërpresë menjëherë ofensivën ushtarake në Rafah. Po ashtu Gjykata më e lartë e OKB-së në Hagë ndalon çdo aksion tjetër të Izraelit, që mund të ketë pasojë një asgjësim të popullsisë palestineze në tërësi apo pjesërisht. Rreziku për një gjenocid është ende “i besueshëm”, thuhet në vendim.

Presidenti i Gjykatës Navaf Salam këto masa të reja i argumentoi me përkeqësimin e gjendjes humanitare në jug të Gazës. Me këtë vendim Gjykata i dha të drejtë kërkesës me procedurë të përshpejtuar të Afrikës së Jugut.

Çfarë i kërkoi Afrika e Jugut Gjykatës Ndërkombëtare kundër Izraelit?

Shteti i Afrikës së Jugut me padinë e ngritur prej tij kundër Izraelit i referohet Konventës kundër Gjenocidit. Sipas saj Gjykata duhet të udhëzojë “masa provizore” që ta detyrojë Izraelin të ndërpresë operacionin ushtarak kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Kjo duhet të mundësojë kujdesin për palestinezët në Rripin e Gazës, e po ashtu Izraeli duhet të japë llogari për veprimet e bëra deri tani.

Afrika e Jugut kërkesën e paraqitur për udhëzimet paraprake të Gjykatës e argumenton me gjendjen e përshkallëzuar në qytetin Rafah në Rripin e Gazës. Meqënëse Izraeli i kundërvihet ushtarakisht edhe në Rafah Hamasit, qindra mijëra njerëz sërish ndodhen në arrati. Kalimi kufitar nga Rafahu për në Egjipt, që është i domosdoshëm për furnizimet, është i mbyllur.

Nga zyra e Benjamin Netanjahu thuhet, se kryeministri ndër të tjera do të konsultohet me Prokuroren e Përgjithshme, ministrin e Drejtësisë si dhe me ministrin e Mbrojtjes. Përpara trupit gjykues përfaqësuesit e Izraelit vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen, se ndërhyrja ushtarake kundër terroristëve të Hamasit në Rafah është e domosdoshme. Hamasi, i cili kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera më 7 tetor 2023 vrau mbi 1400 vetë, kryesisht qytetarë të Izraelit ose i rrëmbeu peng ata.

Viktimat civile është e vështirë të shmangen në luftën shtëpi më shtëpi në qytetet me dendësi të lartë popullsie, argumenton qeveria e Izraelit. Luftimet do të ndërpriten menjëherë, sapo Hamasi të dorëzohet ose të mposhtet. Kjo organizatë konsiderohet nga SHBA, BE dhe të tjera shtete si organizatë terroriste. Izraeli për këtë arsye e hedh poshtë, që të jetë përgjegjësi kryesor për katastrofën humanitare dhe se nuk ndërmerr sa duhet për furnizimin e popullsisë civile.

Çfarë ka vendosur deri tani Gjykata Ndërkombëtare?
Gjykata Ndërkombëtare deri tani ka marrë dy herë vendime, në janar dhe në mars 2024 me kërkesën e Afrikës së Jugut për “masa provizore” kundër Izraelit. Në janar gjyqtaret dhe gjyqtarët vendosën, që Izraeli duhet të ndërmarrë gjithçka të mundshme, për të garantuar furnizimin e popullsisë palestineze dhe për të shmangur viktimat civile. Deri tani, sipas të dhënave palestineze, kanë humbur jetën 35.000 vetë. Në mars gjykata vendosi në mënyrë të përsëritur duke i ashpërsuar masat, sepse gjendja e popullsisë civile në Gazë, sipas OKB-së po i ofrohej emergjencës së urisë.

Çfarë efekti kanë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare?
Vendimet e deritanishme të Gjykatës Ndërkombëtare nuk kanë pasur efekt. Ndonëse presioni politika ndaj Izraelit është rritur, qeveria nuk ka reaguar deri tani. Ndërkohë që vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së, ku Izraeli nuk bën pjesë, janë të detyrueshme për vendet anëtare. Por Gjykata nuk ka mjete, as polici dhe as forca të sigurisë për të zbatuar vendimet. Edhe në raste të tjera palët e akuzuara i kanë injoruar vendimet e Gjkatës së Hagës. Rusia p.sh. u dënua, për invazionin antiligjor ndaj Ukrainës, por ky vendim nuk pati efekt./DW

Comments