Përplasja QUINT – Qeveri për shpronësimet në veri, Osmani: Ka hapësirë për komunikim me partnerët
Shtetet e QUINT-it, të cilave iu bashkua edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE-ja, i reaguan dje Qeverisë së Kosovës rreth shpronësimit të mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe, duke thënë se shprehin keqardhje për këtë vendim, për të cilin thanë se “shkeli ligjet dhe rregulloret”, ndërsa përmendën edhe planin e Ahtisaarit. Pak orë më vonë edhe Qeveria reagoi me një komunikatë ndaj kësaj deklarate, mbase për herë të parë ndaj QUINT’it. Ekzekutivi theksoi se diplomatët perëndimorë “konstatuan gabimisht gjendjen faktike” duke i mohuar akuzat për shkelje ligji. Sot për këtë çështje foli edhe e para e vendit, Vjosa Osmani, e cila i kërkoi Qeverisë t’ia shpjegojë më në detaje partnerëve procesin.
QUINT, BE dhe OSBE thanë se nga misionet e këtyre vendeve kishin ndarë më herët me Qeverinë e Kosovës vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.
Akuza tjetër ndaj Qeverisë ishte se ajo s’i kishte pritur vendimet e gjykatës para se ta merrte këtë vendim më 30 maj.
“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim. Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe palëve të interesit të respektohen plotësisht”, u tha në deklaratën e përbashkët.
Derisa misionet reaguan paradite, Qeveria s’vonoi shumë dhe doli me një deklaratë pasdite ku tha se deklarata e tyre “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.
Qeveria tha se ka filluar procesin e shpronësimit të pronës së paluajtshme në disa komuna të Republikës së Kosovës sipas Ligjit në fuqi për Shpronësimin, me qëllim të ndërtimit të projekteve infrastrukturore.
“Qëllimi i këtillë, përcjell definimin e “qëllimit legjitim” të definuar si të tillë nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Një gjë e këtillë është paraqitur edhe gjatë takimeve e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë, të cilët nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar respektim të procedurave të nisura gjyqësore, para marrjes së vendimit përfundimtar për shpronësim në Qeveri”.
Qeveria në përgjigje të reagimit tha se edhe pse ligjet e Kosovës lejojnë marrjen e vendimit përkundër procedurës të nisur para gjykatave, qeveria megjithatë ka pritur vendimmarrje të gjykatave para se të vazhdonte me vendimin përfundimtar.
“Kontesti i vetëm lidhur me procedurën për shpronësim sipas jurisprudencës së Strasburgut është lartësia e kompensimit”.
Po ashtu, Qeveria e pati një përgjigje edhe për akuzën se nga shpronësimi u hoqën pronat e paraqitësve të kërkesës. Ajo thotë se disa nga paditësit as nuk ishin pronarë të tokave.
“Paditësit kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë. Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”.
Qeveria tha se ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës.
“Ne besojmë që të gjithë pajtohen që para ligjit të gjitha rajonet e Kosovës duhet të trajtohen njëjtë dhe në mënyrë të barabartë”.
Qeveria tha se ndërtimi i projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu stacionet e policisë, do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Këto janë qëllime të ligjshme dhe mëse legjitime që i kontribuojnë forcimit të zbatimit të ligjit e mbi të gjitha, sigurisë së qytetarëve që për një kohë të gjatë ishin subjekt i dhunës e terrorit të bandave kriminale të udhëhequra nga krye-terroristi Milan Radojçiq, i sanksionuar edhe nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Qeveria pati një problem edhe me atë se si iu referua QUINT, BE e OSBE komunave në veri të vendit, duke u ankuar se nuk përputhet me natyrën multietnike të Kosovës.
“Gjithashtu, shprehim shqetësimin tonë që deklarata i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës si “komuna me shumicë serbe”. Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve”.
Nga komuna e Drenasit për komunat në veri u pyet sot edhe presidentja e vendit.
Osmani tha se çështja e shpronësimeve për çdo qytetar duhet të analizohet vetëm në aspekt të përputhshmërisë me ligjin dhe Kushtetutën.
“Përderisa shpronësimet janë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën dhe standardet e gjykatës evropiane, si presidente e Kosovës e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe qytetareve pa dallim”, ka thënë Osmani.
Megjithatë, ajo ka thënë se “mbase ka ende hapësirë” për komunikim në mes të institucioneve përgjegjëse dhe partnerëve për të sqaruar në detaje dhe për t’u siguruar të gjithë që e tëra që Kosova ka bërë është respektim i standardeve të Gjykatës Europiane.
Osmani ka thënë se s’sheh tendencë për diskriminim në baza etnike, por “thjesht respektim të standardeve”.
“Besoj që ka ndoshta ende hapësirë për komunikim që të sqarohen në detaje nga institucionet përgjegjëse tek partnerët në mënyrë që të sigurohen që të gjithë, që e tëra që Kosova ka bërë është që ka respektuar standardet e gjykatës europiane”.
Osmani tha se detyra e Kosovës është që të mbrojë secilin qytetar pa dallim etnie dhe ta mbrojë çdo cep të vendit.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kosovë në fund të reagimit të djeshëm ia lanë një porosi Qeverisë së Kosovës.
“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive të gjalla dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”.