Bujqit filluan korrjet, pritjet nuk janë të mëdha

365

Korrja e grurit për sivjet filloi. Edhe pse pritjet nga bujqit ishin tepër të mëdha, rezultati është shumë i vogël. Bereqet nuk ka pothuajse aspak thonë bujqit, sidomos në shumicën e pjesëve ku shiu shkatërroi të mbjellat, duke futur këtu edhe grurin.
Bujqit ankohen për mungesë të ndihmës nga shteti.

“Subvencione për grurin për dikë ka e për dikë jo. Ne kemi tokat me qira, dhe nuk na japin subvencione sepse si kemi gjitha tokat tona. Nuk na kanë madje as subvencionet për qumështin nga 2021, për dhent nuk na kanë dhënë por ja e shtyjmë me zor sa mundemi”, tha Gazmend Sejdiu, bujk

Shumica e bujqve thonë se do heqin dorë nga bujqësia, mungon ndihma, por mungojnë edhe punëtorët. Sipas tyre kohëve të fundit ekzistenca nuk mund të sigurohet nga toka.

“Punëtorë nuk kemi aspak, ja mundohem me djalin dhe një djalë nga fshati. Familjarisht mundohemi. Nuk mendoj të vazhdoj më me bujqësi sepse plehrat janë shtrenjtë, thasët shtrenjtë nafta e pjesët e makinave shtrenjtë dhe nuk mbulohen assesi as harxhimet. Unë i kam bë 45 vjet por djali im 17 vjeç nuk do e vazhdoj këtë punë, sepse në fund nuk na del aspak hesapi”, shtoi ai.

Në njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë thonë se të mbjellat krahasuar me me vitin e shkuar janë pothuajse të njëjta, por prodhimi për shkak të motit të keq sivjet do të jetë shumë më i dobët.

“Nëse llogarisim motin, më shumë bie se kemi pas reshje shiu, dhe kjo ka ndikuar në rënie të rendimentit. Nëse ka dhënë nga 3500 – 4000 kilogram grurë për hektar, sivjet me reshjet e fundit, dhe dëmet që ka bërë breshëri tek kokrrat e grurit, rendimenti do jetë shumë më i vogël, apo deri në 3500 kilogram për hektar. Në disa pjesë ku nuk ka pas breshër rendimenti do jetë nga 3500 – 4700 kilogram për hektar”, tha Afrim Sejrani, shef i Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë.

Si pasojë e dëmtimit të të mbjellave nga reshjet e shiut dhe të breshrit, e me theks të veçantë, grurit, domates patates dhe specave, sivjet pritet të kemi edhe çmime më të larta të perimeve./Alsat.mk

Comments