Rrëfimi: Si rashë me ashensorin e vdekjes dhe s’e shpëtova dot atë fëmijë
“Ashensori u prish në katin e tretë, dhe unë u detyrova të hidhesha. Por kur pashë që pas meje ishte një fëmijë, që rrinte varur, shkova ta ndihmoja, por s’ja dola dot.”. Kështu rrëfen punonjësi i fabrikës, ku humbi jetën dje tragjikisht një 15-vjeçar në Shkozët.
Bardhul Duzha tregon për ‘News24’ momentet e tmerrit që përjetoi në çastin kur u detyrua që të hidhej, për në bazamentin e katit të tretë dhe tentativën e tij, e cila rezultoi e dështuar për të shpëtuar të miturin Klodian Lala.
“Ishim duke punuar që në 8 të mëngjesit, deri pasdite. Po merrnim materialet, ato stolat. Në momentin e fundit, ikën ashensorit lart. Shkoj në katin e tretë, por nuk punonte. U hodha te bazamenti i shesh-pushimit. Kur ktheva kokën pashë që ishte një fëmijë pas. Ishte varur tek ashensori, shkoj ta kap, por ramë të dy brenda në gropë. Unë fatmirësisht shpëtova. Nuk e kisha parë ndonjëherë, ndoshta aty punonte nëna e tij. Ne po lëviznim prej atij vendi ku punonim.”, pohon Duzha.
Ngjarja
Ngjarja, ku humbi jetën 15-vjecari Klodian Lala dhe u plagos një punëtor, ndodhi në një ndërtesë tre-katëshe në Shkozet, në 2 katet e para të të cilës operon një zdrukthtari dhe në katin e tretë është një repart prodhimi këpucësh i një firme italiane.
Djali kishte shkuar për të pritur nënën e tij, e cila punon si sanitare në dy katet e para të ndërtesës./News24