“Hajvanët brina nuk kanë”: Latifi i fyen përkrahësit e Iranit përballë Izraelit

166

Profesori i filozofisë dhe analisti politik, Blerim Latifi, i ka kritikuar ashpër dhe i ka fyer ata që kanë shprehur përkrahje për Iranin në konfliktin e këtij shteti me Izraelin, duke i cilësuar “tradhtarë dhe hajvanë”.

Latifi tha se Izraeli kishte dalë në përkrahje të bombardimit të Serbisë më 1999 dhe e ka njohur Kosovën, ndërsa Irani nuk e njeh vendin tonë dhe e konsideron si pjesë të Serbisë.

“Në vitin 1999 Izraeli doli në përkrahje të bombardimit të Serbisë, e cila po e lante në gjak krejt Kosovën. Irani ishte kundër, pra ishte në anën e Serbisë. Izraeli e ka njohur shtetin e Kosovës. Irani nuk na njeh dhe na konsideron pjesë të Serbisë. Në këtë ekuacion gjeopolitik çohen disa shqipfolës dhe gulçojnë e bërtasin në mbështetje të Iranit. Tradhtarët dhe hajvanët brina nuk kanë. Ata kanë fytyrën e këtyre shqipfolësve” – shkroi Latifi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Të martën në mbrëmje, Irani hodhi rreth 180 raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa Izraeli më herët kishte nisur një operacion tokësor në jug të Libanit, për ta vënë në shënjestër grupin e përkrahur nga Teherani, Hezbollah.

Comments