“Me të vërtetë besoj se jemi në rrezik”, Macron: Kam dyshime për besnikërinë e SHBA-së

389

Europa nuk është një prioritet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu është shprehur Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë një intervistë të mbajtur në Samitin e Berlinit. Sipas, Macron, Washingtoni e ka përqëndruar politikën e tij drejt Pekinit, si një rrezik i së ardhmes në fushën tregtare dhe ushtarake. Macron vuri në dyshim partneritetin e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën e cila po vuan si pasojë e një konflikti luftarak me Rusinë. Ky rrezik do të rritet akoma më shumë, theksoi Macron nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë vjen Donald Trump.

“Europa nuk është më prioriteti kryesor i SHBA-së. Prioriteti kryesor i SHBA-së është vetë SHBA. Prioriteti i dytë është Kina. Pjesa tjetër varet nga momenti. Janë partnerë shumë të besuar në Ukrainë. Por a do të zgjasë kjo besnikëri, nuk e di të them. Dhe kjo është arsyeja se pse po jetojmë një pjesë të Luftës së Ftohtë. Ajo çfarë duhet të shikojmë është strategjia jonë për mbrojtjen. Jemi anëtar të NATO-s, pa diskutim. Por jemi tashmë të përjashtuar nga agjenda e SHBA-së. Prandaj duhet të investojmë për vetën tonë. Duhet të investojmë në mbrojtjen tonë”, tha president i Francës Emmanuel Macron.

Duke përmendur trajektoren aktuale të politikës ekonomike të BE-së, Macron theksoi se qasja aktuale nuk është më në përputhje me qëllimet e unionit dhe realitetet e konkurrencës globale. Ai vuri në dukje se BE-ja është në rrezik të bëhet e parëndësishme në tregjet ndërkombëtare, potencialisht e reduktuar në përshtatje thjesht me kapacitetet e tepërta nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

“Në lidhje me krizën financiare, përgjegjësia jonë është të veprojmë tani. Në të kundërt Europa rrezikohet në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme. Ne e njohim shumë mirë këtë situatë. Trendi është shumë i qartë. Për mua Europa mund të bëjë lëvizje të zgjuara. BE duhet të “zgjohet” dhe të rikalibrojë politikat e saj për të siguruar rritje dhe stabilitet afatgjatë. Unë me të vërtetë besoj se jemi në rrezik”, theksoi presidenti francez, raporton A2.

Komentet e Macron përputhen me publikimin e fundit të një raporti mbi konkurrencën evropiane nga ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi. Raporti paralajmëron një “agoni të ngadaltë” për Evropën nëse ajo nuk arrin të afirmohet në arenën ekonomike globale.

Comments