Haradinaj i reagon Kurtit: 211.789 persona e braktisën Kosovën në 4 vjetët e fundit – ky s’është migrim, por dyndje

73

“Dhe pikërisht ashtu siç e patëm paraparë liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen”.

Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti sot në konferencën me temën: “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”.

Pas kësaj deklarate të kryeministrit ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës”.

Haradinaj kërkoi të mos keqkuptohet meqë, sipas tij, është e drejtë njerëzore lëvizja, por thotë se ikja në Kosovë është “fenomen që po merr karakter të dyndjes”.

“Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës”.

Haradinaj thotë se “qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres”.

“Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon mashtrimin se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë e të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë!”./Express/

Comments