Tahiri: Nga 23 prilli 2020, KEK udhëhiqet nga VV – s’dihet a ka menaxhuar bordi, drejtori, Dejona apo Martini

62

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se që nga 23 prilli i vitit 2020, Korporata Energjetike e Kosovës udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Express.

Gjatë kësaj periudhe, Tahiri tha se buxheti i kësaj ndërmarrje tejkalon shumën prej 600 milionë euro, por që thotë se nuk dihet faktikisht se nga kush janë menaxhuar këto mjete.

“Ajo që vlen të theksohet është që nga 23 prilli i vitit 2020, Korporata Energjetike e Kosovës udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, pra ka qenë Qeveria Kurti 1, kur me datë 23 prill 2020 emëron bordin e rid he drejtori e ri të KEK. Kemi hyrë në vitin e pestë kur KEK menaxhohet nga njerëzit e deleguar nga VV. Nëse e shohim në total buxhetin që është shpenzuar në këto vite, e kalon shifrën prej 600 milionë euro që faktikisht nuk e dijmë nga kush janë menaxhu. Nuk e dijmë a janë menaxhu nga drejtori, a janë menaxhu nga bordi, a janë menaxhu nga Dejona, a janë menaxhu nga Nagipi apo nga Martini”, deklaroi Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.

Ai ka përmendur tenderët njëburimorë të dhënë nga kjo ndërmarrje në vlerë mbi 100 milionë euro për dy vjet, për çka tha se nuk ka ndodhur kurrë më herët në KEK, derisa theksoi shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Gjatë këtyre katër viteve, i kemi evidentuar në këtë Kuvend se janë dhënë 105 milionë euro kontrata njëburimore, vetëm për dy vite. Kjo situatë nuk ka ndodhë asnjëherë në KEK, e them me përgjegjësi të plotë. Duke qenë KEK nën drejtimin e VV’së, ka ndodh shtrenjtimi 100 përqind i energjisë elektrike.”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, po të shkonte gjithçka sipas planit e s’do të shkëputej kontrata, Kosova tash do të ishte në prag tgë lëshimit të Termocentralit Kosova e Re, e që do të paguante 80 euro për megavat. Shtoi se gjatë kësaj periudhe, megavati është blerë deri në 800 euro.

“Në rast se do të shkonim sipas planifikimeve për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, sot Kosova do të ishte në prag të lëshimit të termocentralit të ri e që megavatin do ta paguante 80 euro. Nëse kontrata sdo të shkëputej nga Qeveria Kurti, sot Kosova do të kishte furnizim të rregullt me energji elektrike 80 euro megavatin. Gjatë kësaj periudhe e kemi ble megavatin deri në 800 euro, ndërsa e kanë anulu një kontratë për të cilën jemi dal edhe në Arbitrazh, e kemi humb Arbitrazhin dhe kemi humb edhe 20 milionë euro”, shtoi Tahiri.

Comments