Osmani për akuzat e Pacollit: Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash

77

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, prandaj edhe mund të dëgjohen lloj-lloj deklaratash.

Këto komente ajo i bëri kur u pyet nga gazetarët rreth akuzave të kreut të AKR-së, Begjet Pacolli, se ai ka komunikuar me Milan Radojçiqin për të siguruar votat që do të mundësonin formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentes.

Kjo kërkesë siç kishte thënë Pacolli kishte ardhur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Osmani. Por e para e shtetit këtë e ka quajtur fushatë, duke u rekomanduar medieve që për çdo pyetje t’i drejtohen me shkrim.

“Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash kështu që ju kisha lutur për çka do që keni pyetje t’i drejtoni në presidencë”, u tha ajo gazetarëve.

Behgjet Pacolli, kryetari i AKR-së ka thënë se ka biseduar me Milan Radojçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – tash kryeterrorist për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Pacolli shtoi se biseda me Radojçiqin ishte kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani për të siguruar votat që do të mundësonin formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentes.

Me 71 vota për, më 4 prill të 2021 kuvendi kishe zgjedhur Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar./E.O/

Comments