8 gola por pa fitues: Inter e Juve pajtohen me barazim

68

Interi dhe Juventusi kanë ndarë pikët në derbin italian të xhiros së nëntë për Serie A.

Edhe pse u shënuan tetë gola, duket se nuk ishte e mjaftueshme që as Interi ose Juve t’i arkëtojnë pikët e plota në “Giuseppe Meazza”.

Interi kaloi fillimisht në epërsi përmes Piotr Zielinskit, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë (15’).

Por, gëzimi i vendasve zgjati vetëm pesë minuta me Weston McKennie që dhuroi një pasim te Vlahovic, për ta barazuar rezultatin (20’).

Shtatë minuta më vonë Conceicao dribloi për mrekulli brenda zonës duke e vendosur Weah përballë portës së zbrazur, aty ku e kishte të lehtë të shënonte për ta përmbysur epërsinë (27’).

Megjithatë, Interi s’u dorëzua duke e barazuar prapë rezultatin. Këtë herë ishte Henrikh Mkhitaryan që shënoi një gol të bukur pas asistimit të Thuram (35’).

Vetëm dy minuta më vonë, Interi fitoi një tjetër penallti – nga e cila prapë i pagabueshëm ishte Zielinski (37’).

Interi e nisi më mirë edhe pjesën e dytë, me Dumfries që shënoi një gol fantastik për ta dërguar rezultatin në 4:2 (53’).

Kur të gjithë menduan se për Juven përfundoi kjo ndeshje, i inkuadruari Kenan Yildiz e bëri ndryshimin. Fillimisht me një goditje të bukur e ngushtoi epërsinë (71’).

Ndërsa, pastaj realizoi një gol fantastik për t’ia dhuruar një pikë “Bianconerëve” (82’).

Interi mbetet pozitë e dytë në Serie A me 18 pikë, derisa Juve renditet në pozitën e tretë me 17 sosh.

Comments