Konjufca: BE-ja me qasje diskriminuese po e trajton Kosovën si jo shtet

53

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Bashkimi Evropian po e trajton Kosovën si jo shtet, duke thënë se qasja e BE-së është diskriminuese.

Sipas Konjufcës, Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund dhe të ulet me BE-në “dhe të qartësojë deri në fund se kush e ka kompetencën”, derisa ishte duke folur për çështjen e themelimit të Asociacionit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka thënë se Kosova mund të jetë vonuar për draftstatutin e Asociacionit, por sipas tij, s’ka pasur periudhë kohore.

“Kosovës i garantohet e drejta për me paraqit një draftstatut të Asociacionin. BE-ja mundet me na kritiku me thanë ‘jeni vonuar shumë’ por ne mund të themi se a ka pas afat?. Është qasje diskriminuese e BE-së që bën dhe e trajton Kosovën si jo shtet. Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund e të ulet me BE-në dhe të qartësojë deri në fund kush e ka këtë kompetencë, Kosova apo BE-ja. Unë mendoj se e Kosova. A jemi vonuar a s’jemi, ne ashtu kështu jemi nën masat e BE-së. Mjafton kjo që jemi vonuar, por vonesa s’mund t’i marrë kompetencat…”, ka thënë ai.

Konjufca ka shtuar të hënën para mediave se Kosova po kushtëzohet nga Bashkimi Evropian.

“Unë mendoj që gjithkush që mendon që drafti që i është dorëzuar…nëse mendon ndokush që ky është një dokument përfundimtar i cili për Kosovën është merre ose leje i bie që Kosovës i është marrë një ingirencë shumë shtetërore që e ka të garantuar edhe me procesin e dialogut edhe madje me kushtetutë…”, është shprehur kryeparlamentari.

Comments