Prokuroria Speciale në rajonin e Mitrovicës, ka arrestuar këtë të premte shtetasin M.D, nën dyshimet se ka kryer veprat penale për veprimtari kundër kushtetuese.
Ai dyshohet për disa vepra penale si, bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmit, dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Prokuroria nuk tregoi në njoftimin e saj se ku dhe kur i ka kryer veprat e pretenduara i dyshuari.
Megjithatë, në të kaluarën, dhjetëra persona janë arrestuar për vepra të ngjashme penale në lidhje me sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it, por shumica e tyre u liruan për t’u mbrojtur në liri.
Protestat e serbëve në veri të Kosovës në maj 2023, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it një vit më parë.
Gjatë përleshjeve u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë.
KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.