“Krusha” e quan zhgënjyes refuzimin e grantit bujqësor nga Ministria e Bujqësisë

57

Kooperativa Bujqësore “Krusha” ka reaguar pasi i është refuzuar aplikimi për grantin bujqësor nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë.

Në një reagim në Facebook, “Krusha” ka thënë se është shqetësues dhe zhgënjyes refuzimi me arsyetimin se mungonin dokumente plotësuese mbi trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit së prodhimit.

“Dëshirojmë të theksojmë se thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim. Për më tepër, dëshirojmë të sqarojmë se KB ‘Krusha’ nuk ka përfituar asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) që nga viti 2015. Në atë kohë, edhe pse u shpallëm përfitues, procesi u shoqërua me vështirësi dhe pagesa e grantit nuk u realizua plotësisht për shkak të problematikave procedurale nga ana e institucioneve. Që nga ai vit, nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR, pavarësisht rolit tonë të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë dhe eksportit”, thuhet në njoftim.

Në reagim u tha se kanë paraqitur ankesë, por edhe ajo u refuzua.

Comments