Çfarë është ATACMS: Sistemi raketor që do të përdorin ukrainasit në territorin rus
Administrata e presidentit në largim Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë ATACMS për të goditur thellë në territorin rus, dhe më pas, Franca dhe Britania e Madhe ndoqën shembullin, duke lejuar përdorimin e raketave SCALP/Storm Shadow.
Ky vendim i Biden përfaqëson një ndryshim të madh në politikën amerikane dhe burimet thonë se vendimi ka ndarë këshilltarët e tij, veçanërisht në dritën e deklaratave të Donald Trump për qëllimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Lejimi i ukrainasve që të përdorin raketa me rreze të gjatë, të njohura si Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë, ose ATACMS, erdhi si përgjigje ndaj vendimit të papritur të Rusisë për të futur trupat e Koresë së Veriut në luftë, thanë zyrtarët.
Armët e përdorura tashmë për të synuar objektivat ruse në Krime
ATACMS, i cili do të thotë Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë, i prodhuar nga kompania amerikane Lockheed Martin, do të lejojë forcat ukrainase të depërtojnë më thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia. Sistemi gjithashtu do të lejojë forcat ukrainase të qëllojnë objektivat sipërfaqësore nga një distancë më e sigurt, në vend që të shkojnë deri në vijën e frontit për të goditur objektiva më të largët.
ATACMS mund të përdoret në sistemet e raketave artilerie shumë të lëvizshme (HIMARS) tashmë në arsenalin ukrainas.
Këto raketa kanë një rreze veprimi deri në 300 kilometra dhe janë të vështira për t’u kapur për shkak të shpejtësisë së tyre të madhe.
SHBA-ja e dërgoi këtë armë si pjesë e një pakete mbështetëse dhe tashmë është përdorur për të shënjestruar objektivat ruse në Krime, raporton BBC.
Ato lejojnë Ukrainën të godasë më thellë zonat e kontrolluara nga Rusia, duke synuar bazat, magazinat dhe qendrat logjistike.