100 vjet nga rrënimi i xhamisë Burmali në qendër të Shkupit, Asani: Projekti “Shkupi 2014” vazhdon të prodhojë ide kontroverse

59

Sot bëhen 100 vjet nga rrënimi i xhamisë Burmali në qendër të Shkupit, përcjell TV21. Kryetari i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skeder Asani thotë se ky veprim dhe ndërtimi i Pallati të Oficerëve në këtë vend, paraqet triumfalizmin ekspansionist të Serbisë, shton se vendimi që në vitin e ardhshëm të inaugurohet objekti i njëjtë si Pallati i Oficerëve, mund të prodhojë ide kontroverse.

Reagimi i plotë i Asanit, pa ndërhyrje:

Para 100 viteve, pikërisht në ditën e sotme, më 18 nëntor 1924, u rrënua Burmali Xhamia buzë Vardarit dhe mbi themelet e saj u ndërtua Pallatin i Oficerëve. Qeveria e Pashiqit kishte hartuar një plan të detajuar për goditjen e shqiptarëve aty ku më së tepërmi iu dhemb, sepse rrënimi i kësaj xhamie simbolizonte nënshtrimin shqiptarëve, ose e varrosjen e çështjes shqiptare, duke vendosur, sipas faksimilit të revistës VREME, në themelet e pllakës ku tregohej se po varroset çështja shqiptare. Shtypi i asaj kohe madje me shumë pompozitet raportonte për këtë ngjarje, duke sjellë kronika dhe fotografi si nga rrënimi i Burmali Xhamisë, ashtu edhe nga hedhja e themeleve të Pallatit të Oficerëve (18 qershor 1925), ku i pranishëm kishte qenë, siç e dëshmojnë gazetat e kohës, vet Aleksandar Karagjorgjeviqi. Këto veprime barbare të pushtetarëve serbët ishin të inspiruar nga idetë famëkeqe të Garashaninit, Vladan Gjorgjeviqit, Çubrilloviqit, Cvjejiqit etj. Për pastrimin etnik të trojeve shqiptare dhe konfigurimin urbanistik të qyteteve sipas planeve të arkitektëve serbë. Fryt i këtij konfigurimi edhe sot i kemi mjaft objekte në Shkup dhe në qytetet tjera, të ndërtuara përgjatë viteve 20-të të shekullit të kaluar, të cilët shprehnin, përveç tjerash, edhe frymën ekspansioniste të pushtuesve të Beogradit. Bashkë me ushtrinë pushtuese serbe, erdhën edhe qindra arkitektë nga Beogradi, me detyra speciale që ta sjellin një stil krejt tjetër arkitektonik në Shkup dhe në qytetet tjera të Maqedonisë së sotme. Me këtë synohej të deformohet identiteti i banorëve vendas, duke ua rrënuar edhe objektet e kultit, siç ndodhi me Burmali Xhaminë, por edhe me Kishën Zemra e Krishtit si dhe me Teqen e bektashinjëve.

Me shuarjen e organizatës politike dhe me burgosjen dhe vrasjen e krerëve të saj, shqiptarët në periudhën në mes të dy luftërave botërore përjetuan tmerre të papërshkruara, të gjitha të orkestruara me përpikmëri nga aparati represiv i Beogradit. Të ndodhur pa një orientim politik dhe të ekspozuar ndaj reprezaljeve, shqiptarët si shpëtim të vetëm gjetën shpërnguljen për Turqi, një synim ky i kahershëm i ideologëve kryesorë të nacionalzmit serb, të cilët në projektet e tyre famëkeqe kishin parapa goditjen e shqiptarëve edhe mbi baza fetare. Prandaj jorastësisht kishte ndodhur rrënimi i Burmali Xhamisë si dhe shumë objekteve tjera fetare islame, si mjet për t’i shndërruar shqiptarët në një komb pa atdhe dhe në refugjatë që do të gjenin shpëtim në shkretëtirat e Anadollit.

A mundet historia të përsëritet dhe sërish të jemi dëshmitar të një reinkarnimi të fantazmave të vjetra shoveniste në realitetet e reja që po i jetojmë? Ose, pse pikërisht mbi rrënojat e Pallatit të rrënuar të oficerëve, si pasojë e tërmetit të vitit 1963, të ngritët sërish një pallat i njëjtë i cili pritet të inaugurohet vitin e ardhshëm dhe me këtë, “Projekti 2014”, vazhdon të prodhojë ide kontroverse që janë një goditje direkte mbi kohezionin etnik në vend?! Me ide e projekte të tilla, vampirët e së kaluarës po zgjohen sërish për të frikësuar të sotmen dhe të ardhmen. Kujt i konvenon kjo dhe në cilët mullinj po “bluhen” këto ide e projekte?!

Comments