Abdixhiku njofton për aderimin e ri, babait të futbollistit Edon Zhegrova

50

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se Lulzim Zhegrova, babai i futbollistit Edon Zhegrova është bërë pjesë e kësaj partie.

Ai publikoi një video në Facebook, kur të dy ia kumtojnë lajmin futbollistit të Kosovës dhe të Lille-it në Francë.

“Lulzim Zhegrova nga sot është pjesë e LDK-së. Atë, së bashku me zonjën Sanije, dy prindërit e supertalentit Edon Zhegrova, i pritëm në selinë qendrore të LDK-së!Lajmin ja kumtuam edhe Edonit. Për të, Lulzimi dhe Sanija kanë qenë gjithmonë forcë mbështetëse në gjithë karrierën mbresëlënëse. Jam i bindur se përvoja e Lulit, do të na shërbejë shumë edhe si vend edhe si shtet”, shkroi Abdixhiku.

Familjen Zhegrova, ai e cilësoi si “model”.

“Kjo familje, mbetet model dhe ëndërr e shumë familjeve tjera, që besojnë se një ditë, të vegjëlit e tyre do të jenë lojtarë të ndeshjes kundër Real Madridit, e do të përfaqësojnë ngjyrat e fanelave më të bukura në botë, të Kombëtares së Kosovës!”.

Abdixhiku tha se “Lulzim Zhegrova do të jetë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit”.

“Lulzimi vjen me një perspektivë unike dhe me energji të re për ta ndërtuar një të ardhme ku çdo i ri i talentuar në Kosovë ka mundësi reale për të realizuar potencialin e tij, si në sport ashtu edhe në jetë.Bashkë do ta bëjmë Kosovën një vend ku ëndrrat bëhen realitet, ku të rinjtë i kanë të gjitha mundësitë të shkëlqejnë fort, dhe ku sporti shndërrohet në një forcë kombëtare për zhvillim. Na priftë e mbara!”.

Comments