Ndryshimi ishte loja jonë për pushtet!

174

Pasi erdhën në pushtet si të preferuar të premierit Micko dhe jo si fitues të zgjedhjeve në kampin shqiptar, klani i qylaxhinjve VLEN, si një koalicion i disa partive të djathta nacionaliste të ashtuquajtur gardianë të kauzës shqiptare nuk kanë arritur të dëshmojnë se janë ndryshe nga DUI.

Kësisoj, vlenistët u sfiduan nga kryekomiti Micko menjëherë nga fillimi i bashkëqeverisjes, duke shfuqizuar balancuesin për të cilin thonë se nuk ishte i përshtatshëm dhe se ata do të përgatisin një ligj të ri për përfaqësim të drejtë në administratë dhe kudo në institucionet shtetërore.

Kjo ishte thyerja e parë e vasalëve nga VLEN-i para despotit Micko.
Ligji për “branitellët” është vija e kuqe që nuk kalon pa përfshirjen e veteranëve të UÇK-së në një kategori të njëjtë sociale me “branitellët”, thonë vlenistët në prononcimet e tyre dhe jo para despotit Micko!

Shfuqizimi i ligjit për gjuhët nga ana e Gjykatës Kushtetuese është një sfidë tjetër ku vlenistët do ta kapërdijnë turpin me bukë, pasi ai ligj do të shfuqizohet dhe nuk do të jetë si avancues për gjuhët e pakicave apo në kllapa për gjuhën shqipe.

A do të dalin vlenistët nga koalicioni pas vendimit të Gjukatës Kushtetuese për shfuqizim të disa neneve të atij ligji si të papërputhshëm me kushtetutën?
Sigurisht që jo, sepse ata kanë hyrë në atë qeveri koalicioni për të përfituar dhe kollofitur nga leverditë e pushtetit dhe jo për ta sjell ndryshimin e premtuar se bashkë me ta do të vinte ”Ndryshimi”!

Guri i fundit i dominos për vlenistët që duket se nuk vlejnë më as “pesë pare” janë ndryshimet kushtetuese, për të cilën janë zotuar se do të ndodhin brenda këtij viti.
Por, despoti i tyre Micko nuk ka shprehur gatishmëri se ato ndryshime do të ndodhin para vitit të ri.

Dhe kur jemi te ndryshimet kushtetuese vlenistët nuk e përmendin më kushtin e fshirjes së 20% nga kushtetuta si premtim para shqiptarëve gjatë fushatës zgjedhore.
Ahere, çfarë janë ndryshe VLEN-i nga DUI, duke e lënë të paprekur në kushtetutë nofkën e turpit si 20%, ku mund të pyes gjithsecili se cili është ndryshimi?

Pas dekleratës së Albin Kurtit kur theksoi se gjuha shqipe nuk është zyrtare në “drzhavën Severna”, rrufjanët e VLEN-it janë trimëruar dhe thonë me plotë gojën se gjuha shqipe nuk është zyrtare!
Por, kujt t’i besojmë tani evgjitit të djeshëm kur thoshte se falë Ali Ahmetit gjuha shqipe u bë zyrtare apo Mexhitit të sotëm që thotë se shqipja nuk është zyrtare!
Apo Arben Taravari, që dje deklaronte se falë Zeadin Selës gjuha shqipe u bë zyrtare, ndërsa sot thonë të kundërtën e asaj që thanë dje!

Dje me titistin Zajko u trajtuam turpshëm si nomadë dhe bashkësi shifrash pa dinjitet, sot me kryekomitin Micko njëlloj si bashkësi nomade pa identitet!
Ku është ndryshimi këtu pa DUI-n dhe me VLEN-in?
Faleminderit Albinit që na propozoi qullashët e VLEN-it si luftëtarë për “frontin e luftës” shqiptaro-maqedone në vitet që do të vijnë.

Si konkluzion mund të thuhet se me integristët e DUI-t nuk ishim trajtuar si komb i denjë me gjuhë dhe integritet, por as me vlenistët nuk ndihemi të denjë si komb, ku nuk ka shenja se po çajnë përpara në emër të ndryshimit që nuk duket në horizont!

Medai Shaholli

Comments