Pacolli thotë se Peci e ka mbështetjen e Kurtit për skandalet me grante
Sekretari i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli tha në Frontal në T7 se ministri i Bujqësisë, Faton Peci e ka mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti edhe pas “shpërthimit të skandaleve”.
Duke komentuar fotografinë e publikuar nga Peci sot, ku ai shihet në një tavolinë me Kurtin, Pacolli kujtoi se ajo u publikua “të njëjtën kohë kur u mbajt konferenca” për media në të cilën Fahrije Hoti nga kooperativa bujqësore “Krusha” – një nga 200 gratë e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit që humbën bashkëshortët, djemtë ose të gjithë bashkë gjatë luftës në Kosovë – u shpreh e zhgënjyer që Ministria e Bujqësisë refuzoi t’u jepte grant.
“Kjo tregon se e ka mbështetjen e kryeministrit”, tha Pacolli, i cili para pak minutash ka publikuar një tjetër video ku tha se tre familjarë tjerë të pushtetarëve përfituan qindra mijëra euro si grante nga Ministria e Bujqësisë. Ishte ai që njoftoi edhe për grantet që Ministria ua dha vëllait e dajës së deputetes së LVV-së, Fitore Pacollit.
“Për ne kjo tregon se kryeministri Kurti e mbështet Faton Pecin edhe pas shpërthimit të këtyre skandaleve”, tha Egzon Pacolli.
Për Pecin, ai tha se “është ministri më i suksesshëm me skandale”.
Pacolli tha se presin të përballen me ministrin në rrugë ligjore, pasi ai ka ushtruar një padi ndaj aktivistëve të LDK-së.
Forumi i Rinisë së LDK-së, paraprakisht ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori për çështjen e shpërndarjes së granteve nga Ministria e Bujqësisë.