Libanezët nisin të rikthehen në jug pavarësisht paralajmërimeve për të mos e bërë
Banorët e zhvendosur kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre në Liban, të mërkurën në mëngjes, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në luftën midis Izraelit dhe Hezbollahut, kanë njoftuar mediat shtetërore libaneze.
Trafik i ngarkuar është krijuar në rrugët që çojnë në luginën lindore Beqaa dhe Libanin jugor, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve NNA, pavarësisht paralajmërimi ushtarak izraelit që banorët e zhvendosur të jugut të mos kthehen ende në shtëpi, raporton CNN.
“Njerëzit e jugut dhe Bekaas filluan të kthehen në fshatrat e tyre. Rrugët që çojnë në këto dy rajone janë dëshmitare të kolonave të veturave që transportojnë familje”, ka raportuar NNA.
Pamjet nga agjencia e lajmeve Reuters në orët pas armëpushimit treguan linja veturash që lëviznin në rrugën kryesore për në qytetin jugor të Tirit.
Të paktën 1.3 milionë njerëz në Liban janë zhvendosur gjatë më shumë se një viti luftimesh, sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara.
Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga Libani brenda 60 ditëve.
Gjatë kësaj kohe, luftëtarët e Hezbollahut gjithashtu pritet të tërhiqen 40 kilometra nga kufiri i Izraelit.