Skandaloze: Mësuesi në Prishtinë nuk e lë nxënësen të hyjë në shkollë për shkak të veshjes kombëtare
Erdhi në shkollë për të vijuar mësimin sikurse çdo ditë tjetër.
Mirëpo, të mërkurën e 27 nëntorit një vajzë 11-vjeçare nuk u lejua të hynte në klasë.
Atë e largoi nga klasa Muhamed Hajredinaj, mësues i anglishtës në shkollën “Xhemajl Mustafa” të Prishtinës.
Arsye ishte veshja e vajzës me rroba me motive kombëtare për festën e 28 nëntorit, të cilat i konsideroi të papërshtatshme mësuesi Haradinaj.
I shqetësuar nga sjellja e mësuesit, Agim Kita, babai i 11-vjeçares, tha se me t’u lajmëruar nga vajza për largimin e saj nga klasa, ka paraqitur ankesë në shkollë kundër mësuesit Hajredinaj.
Kita beson se veprimi i mësuesit është i shtyrë nga bindjet fetare të tij.
Shkolla do mbante programin festiv per nderë të pavarësisë së Shqipërisë dhe objekti ishte i stërmbushur me nxënës te cilët ishin të vesh kuq dhe zi, por përse arsimtari perzgjedhi pikërisht vajzën e Kitës që ta përjashtonte?
Për sjelljet e papërshtatshme të mësuesit të anglishtës janë në dijeni edhe drejtuesit e shkollës.
Zëvendësdrejtori Berisha thotë se ankesa ndaj mësuesit Muhamed Hajredinaj janë pranuar edhe më parë për probleme të natyrës së ngjashme.
Ai tha se lëndët kundër mësuesit shkolla i ka adresuar në Ministrinë e Arsimit, të cilët ende nuk kanë nxjerrë vendim përfundimtar.
11-vjeçarja u rikthye sërish në klasë gjatë ditës së mërkurë për të vijuar mësimin.
Kjo megjithatë ndodhi vetëm pas insistimit të zëvendësdrejtorit, i cili u informua nga prindi i saj për ngjarjen.
Muhamed Hajredinaj, mësues në shkollën “Xhemajl Mustafa”, sipas të dhënave publike, figuron drejtues i një biznesi privat që merret me kurse të gjuheve të huaja, përfshirë anglishten dhe arabishten, si dhe me përkthime të tjera profesionale.