AP: Dhjetëra mijëra trupa ukrainase kanë ikur nga luftimet dhe pozicionet e vijës së frontit
Dezertimi po e lë ushtrinë ukrainase pa fuqinë njerëzore dëshpërimisht të nevojshme dhe po i dëmton planet e saj për beteja në një periudhë kritike të luftës me Rusinë, gjë që mund ta vërë Kievin në disavantazh të qartë në bisedimet për armëpushim në të ardhmen, raporton agjencia e njohur amerikane e lajmeve, “Associated Press”.
Duke u ballafaquar me secilën mungesë të imagjinueshme, dhjetëra mijëra trupa ukrainase, të lodhura e me mungesa, janë larguar nga luftimet dhe pozicionet e vijës së frontit për të hyrë në anonimitet, sipas ushtarëve, avokatëve e zyrtarëve ukrainas. Njësite të tëra i kanë braktisur pozicionet e tyre, duke i lënë vijat mbrojtëse të brishta e duke i përshpejtuar humbjet territorial, sipas komandantëve e ushtarëve.
Disa marrin pushim mjekësor dhe nuk kthehen kurrë, të ndjekur nga traumat e luftës dhe të demoralizuar nga gjasat e zymta për fitore. Të tjerë përplasen me komandantë dhe refuzojnë që të kryejnë urdhra, nganjëherë në mes të luftimeve.
“Ky problem është kritik. Ky është viti i tretë i luftës dhe ky problem vetëm do të rritet” – tha Oleksandr Kovalenko, analist ushtarak me bazë në Kiev.
Edhe pse edhe Moska është ballafaquar me dezertime, ukrainasit që po largohen pa leje i kanë vënë në shesh problemet e rrënjosura që i kanë rënë në qafë ushtrisë së tyre dhe atë se si Kievi është duke e menaxhuar luftën, nga fushata me probleme e mobilizimit te tejshtrirja dhe njësitet me zgavra në vijën e frontit. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Ukrainës që të rekrutojë më shumë trupa dhe ta ulë moshën e rekrutimit në 18 vjeç.
Agjencia “Associated Press” bisedoi me dy dezertorë, tre avokatë dhe 12 zyrtarë ukrainas e komandantë ushtarakë. Zyrtarët dhe komandantët folën në kushte anonimiteti për të zbuluar të dhëna të klasifikuara, ndërsa një dezertor kërkoi anonimitet nga frika prej përndjekjes.
“Është e qartë se tani, thënë sinqerisht, ne tashmë e kemi shtrydhur maksimumin nga njerëzit” – tha një oficer në Brigadën e 72-të, i cli theksoi se dezertimi është njëra nga arsyet kryesore pse Ukraina e humbi qytezën Vuhledar në tetor.
Ushtarët që ikin
Më shumë se 100.000 ushtarëve u janë ngritur akuza sipas ligjeve ukrainase kundër dezertimit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurtin e vitit 2022, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Gati gjysma janë larguar pa leje vetëm në vitin e fundit, pasi Kievi nisi një fushatë agresive dhe kundërthënëse të mobilizimit, për të cilën zyrtarë qeveritarë dhe komandantë ushtarakë pranojnë se kryesisht ka dështuar.
Ky është numër i lartë në mënyrë tronditëse sipas cilësdo masë, pasi vlerësohej se 300 mijë ushtarë ukrainas ishin të angazhuar në luftime para fillimit të fushatës së rekrutimit. Numri i vërtetë i dezertorëve mund të jetë shumë më i lartë. Një ligjvënës me njohuri për çështjet ushtarake vlerësoi se kjo shifër mund të arrijë deri në 200 mijë.
Shumë dezertorë nuk kthehen, pasi u është dhënë pushimi mjekësor. Të lodhur deri në asht nga vazhdimësia e luftës, ata kanë vragë psikike e emocionale. Ndiejnë faj që nuk mund ta ngjallin vullnetin për të luftuar, ndiejnë zemërim për atë se si është duke u udhëhequr lufta dhe frustrim për shkak se ajo duket e pamundshme për t’u fituar.
“Të qëndrosh i heshtur për një problem të madh vetëm e dëmton shtetin” – tha Serhii Hnezdilov, njëri nga pak ushtarët që foli publikisht për vendimin e tij për të dezertuar. Ndaj tij u ngrit aktakuzë pak pasi agjencia “Associated Press” e kishte intervistuar në shtator.
Një dezertor tjetër tha se u largua nga njësia e tij e këmbësorisë pa leje, sepse kishte nevojë për të hyrë në operacion mjekësor. Kur koha për t’u kthyer erdhi, ai nuk mundi të kthehej. Ende ka ankthe për shokët që i ka parë duke u vrarë.
“Mënyra më e mirë për ta shpjeguar këtë është që të imagjinosh se ndodhesh nën zjarrin që po vjen dhe nga ana e tyre [rusëve], janë 50 predha që po vijnë drejt teje, ndërsa nga ana jonë, është vetëm një. Pastaj sheh se si shokët tu po bëhen copë-copë dhe kupton që në çdo sekondë, ajo mund të të ndodhë edhe ty” – tha ai.
“Ndërkohë djemtë [ushtarët ukrainas] dhjetë kilometra larg të urdhërojnë në radiolidhje: “Vazhdo, shtrëngoje veten. Gjithçka do të jetë në rregull” – shtoi dezertori ukrainas.
Hnezdilovi gjithashtu u largua për të kërkuar ndihmë mjekësore. Para se t’i nënshtrohej operacionit, ai kishte njoftuar se po dezertonte. Tha se pas pesë vjetëve në shërbim ushtarak, nuk pa shpresë se do të demobilizohej ndonjëherë, pavarësisht nga premtimet e mëhershme nga udhëheqësia e vendit.
“Nëse nuk ka afat për përfundim [të shërbimit ushtarak], ai shndërrohet në burg – bëhet psikikisht vështirë për të gjetur arsye që ta mbrosh këtë vend” – tha ai.
Dezertimi i ka shndërruar planet e betejave në rërë që rrëshqet nëpër majat e gishtave të komandantëve ushtarakë.
Agjencia “Associated Press” ka marrë vesh për raste kur vijat e mbrojtjes janë komprometuar rëndë për shkak se njësite të tëra i sfiduan urdhrat dhe i braktisën pozicionet e tyre.
Ushtria ukrainase regjistroi mungesë prej 4 mijë ushtarësh në fron në shtator, kryesisht për shkak të vdekjeve, lëndimeve dhe dezertimeve, sipas një ligjvënësi. Shumica e dezertorëve ishin nga rekrutët e mobilizuar rishtazi.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli