Pjetër Shala urdhërohet të paguajë 208 mijë euro zhdëmtim për viktimat

79

Gjykata Speciale e ka urdhëruar Pjetër Shalën të paguajë 208 mijë euro si zhdëmtim tetë viktimat e tij të drejtpërdrejta dhe pesë jo të drejtpërdrejta.

Tetë viktima morën pjesë në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, të gjithë nën masa mbrojtëse.

Në një urdhër të lëshuar të premten, një trup gjykues i Gjykatës Speciale ka vendosur që viktimat të shpërblehen me 208 mijë euro për zhdëmtim.

Ai është urdhëruar t’i paguajë 100 mijë euro vitkimës 1, 10 mijë euro viktimës 3, 8 mijë euro për person viktimave 2,3,5,6,7 dhe 8, si dhe 50 mijë euro gjithsej bashkërisht viktimave 2,3,4,5,6,7 dhe 8.

“Mbrojtësi i Viktimave kërkon në lidhje me ‘viktimën 1’: 10 mijë euro për dëm fizik, 30 mijë euro për dëm mendor dhe 60 mijë euro për dëm material”

“Në lidhje me viktimën 3, Mbrojtësi i Viktimave kërkon 10 mijë euro për dëm mendor. Në lidhje me viktimat 2,4,5,6,7 dhe 8, Mbrojtësi i Viktimave kërkon 8 mijë euro për person për dëm mendor”, tha kryetarja e trupit gjykues.

“Së fundmi, Mbrojtësi i Vitimave kërkon që një shumë e gjithsejt prej 50 mijë eurosh t’u akordohet viktimave të tërthorta 2,3,4,5,6,7 dhe 8 për dëm material”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Të gjitha kërkesat e Mbrojtësit të Viktimave janë gjetur të bazuara nga trupi gjykues.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, i njohur me nofkën “Ujku”, ishte dënuar me 18 vite burgim në një aktgjykim të Gjykatës Speciale të shpallur në korrik të vitit 2024.

Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Comments