Vuçiq: Ne nuk e shohim Kroacinë si armike/ Po armatosim veten që 1995 dhe 1999 të mos përsëriten
“Ne nuk e shohim Kroacinë si armike, por po armatosemi seriozisht dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mos përsëritur vitet 1995 dhe 1999”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Sipas ndryshimit të doktrinës së ushtrisë serbe, ne duhet të jemi më të fortë se një pjesë e konsiderueshme e fqinjëve tanë së bashku”, tha Vuçiq për TV Pink.
Duke theksuar se ushtria po armatoset “fuqishëm, shpejt, me efikasitet dhe seriozitet”, Vuçiq tha se kjo do të vazhdojë në mënyrë që “të mos përsëriten as 1995, as 1999 dhe as shumë vite të tjera”, duke aluduar në Operacionin Stuhia. dhe bombardimet e NATO-s.
“Ne nuk do të sulmojmë askënd, por askush të mos mendojë të kryejë përsëri agresion ndaj vendit tonë”, tha Vuçiq.
Vuçiq pranon se Kroacia është një vend më i zhvilluar, por pretendon se Serbia po rritet shumë më shpejt se fqinji i saj perëndimor dhe se hendeku mes tyre po mbyllet.