Kosovë, policia shton masat e sigurisë në shkallë vendi

65

Policia e Kosovës njoftoi të premten mbrëma se ka shtuar masat e sigurisë në tërë vendin me qëllim të, siç thuhet në njoftimin e saj, “parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme”.

Policia tha se do të ketë veprimtari të shtuar për të ofruar më shumë siguri në gjithë Kosovën, duke përfshirë veriun e saj, ku brenda tre ditësh njoftoi për dy sulme me granata dore.

Autoritetet njoftuan sot se të enjten vonë persona të panjohur kanë hedhur një granatë dore në ndërtesën e komunës së Zveçanit në veri të Kosovës, duke lënë pas vetes dëme materiale, po pa pasoja në njerëz.

Ndërkaq të martën e kësaj jave persona të panjohur hodhën dy granata dore në oborrin e stacionit policor në këtë komunë.

Policia i vlerësoi rastet si “sulme serioze kriminale”

“Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë ku theksohet se me këto veprime synohet “ruajtja e rendit e qetësisë publike, parandlimi i akteve kriminale dhe hetimi e vënia para drejtësisë e të gjithë atyre që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.Gjatë ditës policia tha se rasti i së enjtes mbrëma po trajtohet si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por tani për tani nuk ka të dyshuar dhe nuk dihet asgjë për motivet e sulmit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se “sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së komunës dhe katër makinave të parkuara aty pranë, ndërsa policia ka nisur hetimet rreth tij”.

Sulmi u dënua nga aurotitetet e Kosovës si akt i papranueshëm i dhunës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e dënoi sulmin por këmbënguli se gjendja në veriun e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e mirë dhe më e sigurtë.

“Nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë që nuk i menaxhojmë e nuk ia dalim në përballje me ta.

Unë besoj që këto janë shprehje edhe e pafuqisë së tyre, ndërkohë që janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të shkaktojnë frikë, mirëpo tashmë në Kosovë nuk mund të ketë as individ dhe as grup a strukturë më të fuqishme sesa shteti i pavarur i Kosovës”, tha kryeministri Kurti duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ndërsa po merrte pjesë në një ngjarje në Podujevë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një reagim në rrjetet sociale akuzoi Beogradin se fshihet prapa sulmeve të tilla duke theksuar se “koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar” dhe se “rendin e ligjin dhe liritë e të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”.

Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, shkroi në rrjetet sociale se e dënon fuqishëm “këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit”.

Zveçani është një nga katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, që aktualisht udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it./woa

Comments