Ambasada e Francës në Kosovë ka dënuar ashpër sulmin në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Ambasada ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit për sulmin të dalin para drejtësisë.
“Ambasada franceze dënon ashpër sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ky sulm duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e ambasadës, ndërsa ka falënderuar KFOR-in dhe EULEX-in për “reagimin e shpejtë” dhe koordinimin me Qeverinë e Kosovës.
Të premten ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut – më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan – duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke rrezikuar kështu furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja.