Ajri i ndotur çdo vit mbyt rreth 2800 banorë të Maqedonisë së Veriut

71

Ajri i ndotur çdo vit mbyt rreth 2800 banorë të vendit, deklaroi në fillim të konferencës në Shkup për cilësinë e ajrit, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Masimiliano Paoluçi.

Ai tha se pavarësisht progresit që nga vitet 1990, ndotja e ajrit është ende e lartë, veçanërisht në muajt e dimrit.

“Njerëzit në Shkup dhe Tetovë janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike (PM2.5), krahasuar me njerëzit nga Evropa Perëndimore, shtoi Paoluçi.

Ajri i shëndetshëm, theksoi ai, është i një rëndësie vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm.

Fjalim kishte edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.

“Sot së bashku me Bankën Botërore dhe institucionet përkatëse që kanë autoritetet në këtë pjesë për ajër më të pastër, morëm pjesë në një prezantim të analizës dhe punës së gjerë të Bankës Botërore, normalisht me institucionet tona lokale dhe me mjedisin jetësor, në aspektin e analizimit të mënyrave për atë që kemi ajër të ndotur dhe si mund t’i zgjidhim ato. Rishikim i veçantë është në qytetet më të mëdha në zonat urbane, duke filluar nga Shkupi, kështu që, kjo përputhet edhe me programin tonë që e sollëm para disa ditësh në nivel të Qeverisë, të udhëhequr nga MMJPH, ku janë përfshirë të gjitha institucionet që kanë kompetenca. Dallimi është se analizat e Bankës Botërore dhe UNDP dhe institucioneve tjera përkatëse i dinë saktësisht arsyet se pse kemi ajër të tillë dhe punojmë më shumë për t’i hequr ato shkaqe, jo si në të kaluarën duke vrapuar vetëm pas pasojave dhe duke mos e ditur saktësisht se çfarë dhe si do e bëjmë. Mendoj se kjo është një bazë e mirë”, nënvizoi Mexhiti në deklaratë për mediat.

Sipas tij, faktori i parë është është se amvisëritë dhe industria ende përdorin dru të cilësisë së ulët dhe burime të tjera ngrohjeje, sidomos në sezonën e dimrit.

“Këtu është edhe transporti urban dhe një sërë arsyesh tjera. Ne tashmë kemi miratuar dhe jemi duke punuar në një program specifik ku përveç gazifikimit janë planifikuar edhe sisteme kogjeneruese të gazit, gjithashtu planifikojmë të subvencionojmë edhe kthimin e qytetarëve në ngrohje qëndrore, veçanërisht në zonat urbane ku ajo ekziston. Për sa i përket gazifikimit, mendoj se kjo është një nga zgjidhjet që qytetarët do t’i drejtojë drejt mjeteve më pak të dëmshme ose të padëmshme për ngrohje gjatë sezonës. Gjithashtu lidhur me transportin urban, siç kemi filluar me autobuës elektrikë, planifikojmë që në Qeveri të shpërndajme edhe 100-120 të tjerë për transport publik në komuna, këtu ka edhe nisma private, fabrika që këto ditë do të lëshohet për përpunim të vajit të përdorur dhe kjo të reciklohet 100 për qind dhe të ketë prodhim nga Republika e Maqedonisë. Punojmë gjithashtu edhe në nisma dhe projekte të tjera. Do të thotë, jemi të përkushtuar që t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që të kemi ajër më të pastër”, theksoi Mexhiti.

Dame Dimitrovski, profesor në Fakultetin e Makinerisë – Shkup, sqaroi se programi është përgatitur në bazë të hulumtimeve afatgjate dhe nga “institucionet tona shkencore dhe nga partnerët tanë të cilët një kohë të gjatë tregojnë se kush janë ndotës dhe si ndikojnë në ndotjen”.
“Projekti i parë me të cilin u përballëm është identifikimi i ndotësve dhe secili të marrë përgjegjësinë e tij. Deri më tani, ka ndodhur që ndotësit i drejtonin gishtin njëri-tjetrit, kështu që amvisëritë thonin se industria ndot, industria fajësonte transportin, transporti fajësonte një palë të tretë. Ky program përfshin të gjithë ndotësit në zonat urbane të Maqedonisë dhe është bërë program kompleks prej rreth 20 projektesh që kanë të bëjnë me zgjidhjet e mundshme. Programi është dinamik dhe do të rritet më tej pasi ka përparime të reja teknologjike ose pasi kemi rezultate të reja në terren. Janë përfshirë më së shumti programe për amvisëritë që duam t’i përfshijmë në program, t’i subvencionojmë që të fillojnë të përdorin lëndë djegëse të pastra, t’u ofrojmë dru të thatë si lëndë djegëse më pak ndotëse dhe kështu të mundësohet që ajri i amvisërive në shtëpi të jetë më i pastër dhe më i shëndetshëm për fëmijët e tyre në përgjithësi”, theksoi Dimitrovski.

Siç njoftoi, në plan është kontroll i rreptë dhe i drejtë inspektues për të gjitha kapacitetet industriale.

“Po ashtu, po planifikojmë kontroll të rreptë dhe të drejtë inspektues për të gjitha objektet industriale në vend, në mënyrë që emetimet të jenë publike dhe të gjithë të jemi të sigurt se ajo që emetohet është e sigurt në nivel evropian. Siç kemi themeluar institucione të fuqishme shkencore në vitin 1963, kur kemi pasur problem me tërmetin, tani dëshirojmë t’i mbështesim institucionet shkencore që të merren me hulumtime për pastrimin e ajrit apo mosndotjen e ajrit dhe një program të tillë e kemi paraparë”, shtoi Dimitrovski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse në praktikë është dënuar dikush, ai u përgjigj se tani po bëhet rregullore e veçantë.

“Pra, është evidentuar se deri më tani kapacitetet kanë qenë të dobëta ose angazhimi ka qenë i dobët ose mundësitë kanë qenë të dobëta tek inspektoriatet. Tashmë në praktikë do të parashikohet një organ i fuqishëm i centralizuar, i cili do të merret me inspektimin në mjedis, i cili do të mund të kryejë kontrolle në të gjitha objektet, si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht, në mënyrë që të mos dorëzojmë kompetenca apo t’i japim secilit. mundësi të tjera për arsye – nuk është përgjegjësi e imja”, paralajmëroi Dimitrovski.

Në pyetjen nëse është në plan që inspektorët të jenë më aktivë gjatë festave shtetërore, sepse në atë periudhë ajri është më i ndotur, ministri tha se do të punohet në mënyrë intensive.
“Tashmë kemi ndërmarrë masa të Qeverisë dhe tashmë janë në teren. Tashmë ka edhe dënime. Por, ka nevojë që të rritet edhe numri i inspektorëve, sepse janë në numër të vogël që të ketë shtrirje në gjithë Maqedoninë”, deklaroi Mexhiti.

Comments