Marrëveshja për pranimin e fajësisë, Bahtijari dhe Prokuroria pajtohen për dy vite burgim

67

Gjatë seancës së sotme, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Vedlt- Foglia tha se Ismet Bahtijarin dhe ZPS-ja janë dakorduar në marrëveshjen e pranimit të fajësisë, që të kërkohet 2 vjet burgim për të akuzuarin.

“… se ju pajtoheni me përcaktimin e një dënimi me burg prej dy vjetësh”, tha kryegjyqtarja dhe një gjë të tillë e konfirmoi edhe Bahtijari.

Bahtijari pohoi se e ka diskutuar me avokatin e tij kushtet e marrëveshjes dhe se e ka pranuar atë pas diskutimit me përfaqësuesen e tij ligjore.

Ai madje pohoi se kushtet dhe çdo pjesë të marrëveshjes i ka lexuar në një gjuhë që e kupton.

Si rrjedhojë, kryegjyqtarja Mappie Veldt- Foglia tha se sipas marrëveshjes, Ismet Bahtijari pranon se ai ishte pjesë e një grupi që kërkonte të nxiste dëshmitarin 1 që të mos jepte dëshmi para DhSK-së përmes premtimit për përfitim dhe se anëtarë e grupit duke vepruar nën drejtimin e Haxhi Shalës i shkuan dëshmitarit 1 në shtëpinë e tij përkatësisht me 5 prill dhe 12 prill 2023.

Gjatë vizitës së 5 prillit, i pandehuri Bahtijari i kishte thënë dëshmitarit se ai duhet të tërhiqte dëshminë e tij. Ndërsa, gjatë vizitës së 12 prillit, Sabit Januzi i kishte reaguar një ofertë dëshmitarit 1 që Haxhi Shala dhe të tjerët do ta ndihmonin atë nëse ai do e tërhiqte dëshminë e tij.

Tutje, gjyqtarja vazhdoi se sipas marrëveshjes, para dhe pas vizitës së 5 prillit 2023 dhe para vizitës së 12 prillit 2023, Bahtijari komunikoi dhe koordinoi me anëtarë e tjerë të grupit për ndërveprimet e tyre me dëshmitarin 1.

Bahtijari e konfirmoi se mbi këtë bazë faktike kanë lidhur marrëveshje me ZPS-në.

Ngjashëm si për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin, kryegjyqtarja lexoi pikat e aktakuzës se 10 korrikut 2024, që përfshihen në marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Ismet Bahijarin.

Sipas saj, në këtë marrëveshje përfshihen pikat 8, 9, 13 deri në 18 dhe 24.

ZPS-ja është tërhequr nga pika 1 e aktakuzës. /BetimipërDrejtësi/

Comments