Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka reaguar për herë të parë pasi u përplas fizikisht gjatë seancës së Kuvendit me Agron Shehajn, ish-deputet i PD, aktualisht kryetar i Partisë “Mundësia”.
Në reagimin në rrjetet sociale, Noka ka publikuar edhe një foto të Agron Shehajt me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Noka shprehet se i qëndron fjalëve që i ka thënë Shehajt në Kuvend se po përdoret nga “Rilindja” dhe se është ushtar i Veliajt dhe Engjëll Agaçit.
Reagimi
“T’i bëjmë opozitë opozitës” është një nga metodat më të aplikuara të të rilindurve. Aplikohet nga tellallë ekranesh dhe të vetëpërdorur e të keqpërdorur në mënyrën më të egër nga #Rilindja. I qëndroj fjalëve që i thashë në sy. Për ata që nuk i dëgjuan po i shkruaj t’i lexojnë: Po bën lojën e Veliajt. Je ushtar i Veliajt dhe i Engjëll Agaçit”.
Agron Shehaj bllokoi foltoren në shenjë proteste se iu refuzua interpelanca me zv/kryeministren Belinda Balluku për 1.3 miliardë eurot e rrugës Thumanë-Kashar, por u përjashtua nga punimet e seancës me vendim të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Momentet e tensionit sollën edhe konfrontime mes vetë opozitarëve. Në foltore, Noka mori fjalën duke spostuar me forcë prej aty, Agron Shehajn. Përplasjet mes tyre vijuan përgjatë disa episodeve, derisa Noka i hodhi Shehajt telefonin në tokë, pasi kreu i “Mundësia” po transmetonte live në rrjetet sociale.