Bombardimet ruse godasin ambasadën e Shqipërisë në Kiev

229

Rusia ka bombarduar mbrëmjen e djeshme kryeqytetin e Ukrainës. Sipas informacioneve nga këto bombardime është goditur edhe godina ku ndodhet ambasada shqiptare në Kiev, raporton Top Channel.

“Gjashtë ambasada u dëmtuan si rezultat i sulmeve me raketa ruse në Kiev, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tykhy.

Nga sulmi kanë mbetur të dëmtuara dhe ambsadat e Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Portugalisë dhe Malit të Zi, të cilat janë të vendosura në të njëjtën ndërtesë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka dënuar këto sulme të Rusisë të cilat i ka quajtur brutale.

“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.

Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Comments