Përplasjet Hungari-Poloni, Orban i jep azilin politik ish-qeveritarit polak që po gjykohej në Varshavë. Tusk: Je si Lukashenko

90

Një krizë e vërtetë diplomatike po zhvillohet midis Polonisë dhe Hungarisë, situatë e pazakontë të paktën mes dy vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Kriza shpërtheu pasi Budapesti vendosi t’i japë azil politik një ish-anëtari të qeverisë së Varshavës, i cili po gjykohet për disa krime, duke përfshirë edhe përvetësimin e dhjetëra milionë eurove. Ky është ish-zëvendësministri polak i Drejtësisë, Marcin Romanowski, një anëtar i partisë opozitare nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, Gergely Gulyas, njoftoi vendimin, ndërsa akuzoi qeverinë polake për persekutimin e kundërshtarëve të saj politikë. Gulyas tha se kishte “prova konkrete të mungesës së një gjykimi të drejtë” për Romanowski, duke vënë në dukje se në fillim të këtij viti politikani u arrestua dhe u padit nga prokurorët polakë pavarësisht se gëzonte imunitet si anëtar i Asamblesë së Këshillit të Evropës (PACE).

Polonia e quajti vendimin një “akt armiqësor” në kundërshtim me parimet e Bashkimit Evropian dhe thirri ambasadorin hungarez, të cilit i dorëzuan një notë zyrtare proteste. Qeveria tha se nëse Hungaria nuk respekton detyrimet e saj evropiane, Polonia do t’i kërkojë Komisionit Evropian të fillojë procedurat kundër saj. Ministria e Jashtme ka tërhequr gjithashtu ambasadorin e saj në Hungari. “Nuk do të ketë një ambasador polak në Budapest sepse ai do të jetë në konsultim të përhershëm në Varshavë”, shpjegoi një zëdhënës i ministrisë.

Romanowski, i cili mohon akuzat, ishte arrestuar si pjesë e një hetimi për keqpërdorimin e fondeve publike, por u lirua në korrik pasi presidenti i PACE vendosi se politikani gëzonte imunitet”.

“Nuk e prisja që ata që i shpëtojnë drejtësisë, zyrtarët e korruptuar, mund të zgjidhnin mes Lukashenkos dhe Orbanit për të kërkuar strehim nga drejtësia”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, duke e krahasuar kryeministrin hungarez me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

“Nuk është rastësi që ata që vodhën, të korruptuarit, kërkojnë strehim në vende të qeverisura nga politikanë të ngjashëm me ta”, shtoi Tusk.

Prokuroria polake akuzon Romanowskin, i cili nga viti 2019 deri në vitin 2023 ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e një fondi për ndihmën ndaj viktimave të krimit, se ka kryer 11 vepra penale, duke përfshirë pjesëmarrjen në një grup të organizuar kriminal, përdorimin e të ardhurave nga krimi, shpërdorimi të pushtetit etj. Bëhet fjalë për krime që do të lidheshin me periudhën në të cilën ai ishte zëvendësministër i Drejtësisë në qeverinë e PiS, e cila qeveriste nga viti 2015 deri në fund të vitit të kaluar.

Në veçanti, ai dyshohet se ka vjedhur apo tentuar të vjedhë gati 40 milionë euro.

Comments