Ku po fshihet Artan Grubi?! Mexhiti: Ta ndjekin organet kompetente

83

Ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, dyshohet të jetë në Shqipëri. Këtë e tha, edhe pasuesi i tij në këtë post Izet Mexhiti. Por, ai sot thotë se ia lë në dorë organeve kompetente që të merren me ndjekjen e tij. Ditë më parë u raportua se Grubi është parë në një pikë karburanti në Shqipëri, por kjo nuk është dëshmuar. Madje as autoritetet nuk njoftojnë nëse Grubi është evidentuar për hyrje në Shqipëri, ndonëse ka një flet-arrest ndërkombëtar për arrestimin e tij. Mexhiti thotë se ndjekja penale ndaj tij është një mesazh se askush nuk do të jetë mbi ligjin.

“Mendoj se qeveria e ka bërë të vetën, po kthehet shteti ligjor. Porosia është që askush nuk është mbi ligjin. Sa i përket politikës, çështja Grubi është e mbyllur! Mbetet e organeve të rendit dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”, u shpreh zëvendëskryeminstri i parë, Izet Mexhiti.

Ndërkaq nga VMRO DPMNE vazhdojnë ta kritikojnë LSDM-në duke thënë se e dinin për krimin e Grubit, por heshtën që të mos u binte Qeveria.

“Venko Filipçe si funksionari kryesor i LDS-së ka ditur për krimin e kryer nga Artan Grubi. Kur VMRO-DPMNE fliste për LSD se janë ‘hyzmetçarë’ të BDI-së, pikërisht këtë donte të thoshte. LSD e heshti dhe e lejoi kriminalitetin e Grubit, që të njëjtit mos të inatosen dhe BDI të largohej nga koalicioni i tyre. Është e trishtueshme të shohësh se si tani ata duhet të pretendojnë se janë përsëri të pamartuar, kështu që ata dalin me histori të ndryshme”, tha Brane Petrushevski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Pak orë para se të filloj aksioni policorë, vikendin e kaluar Grubi në shoqërim të një afaristi vendas, i cili në cilësinë e konsullit të nderit me makinë me targa diplomatike, kaluan përmes vendkalimit të Bllacës për në Kosovë. Dy ditë më pas u lëshua flet-arrest ndërkombëtar për arratisjen e tij dhe të ish-drejtorit të Lotarisë së Maqedonisë Përparim Bajrami, i cili tani e dy javë është jashtë shtetit, thonë autoritetet.

Prokuroria e Shkupit kërkoi paraburgim në mungesë për të dyshuarit sipas veprës penale “Përvetësim në shërbim” në Lotarinë e Maqedonisë, për dëmin e shkaktuar në buxhet të rreth 8 milion eurove.

Para kësaj, u hap procedurë parahetimore nga prokuroria sipas indicjeve të dhëna nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku Grubin dhe gjykatësin e apelit, Enver Bexheti i futën në listë të zezë për korrupsion.

Comments