Kryeparlamentari Gashi rrëfehet para TV Alsat!
Dje, kreu i kuvendit Afrim Gashi, zbret me këmbë në tokë dhe heq më në fund “gjethen e fikut” që mbulonte lakuriqësinë e turpit mbi gjuhën shqipe gjatë një deklarate për TV ALSAT, ku ai pranoi të vërtetën e cila si duket shkaktoi interes dhe kërshëri para shikuesve duke hedhur dyshime mbi statusin zyrtar të gjuhës shqipe.
Kur u pyet nga gazetarja për arsyen pse qeveria nuk përdor gjuhën shqipe në komunikimin zyrtar, ai u shpreh se “gjuha shqipe nuk është zyrtare, por është një gjuhë e përkthyer.” -njoftoi Alsat.
Kaq mjafton të kuptojnë shqiptarët se gjuha shqipe nuk është zyrtare në “drzhavën Severna” por gjuhë e 20 %, si “peshqesh” nga MO, ku subjektet politike të kohës si PPD dhe PDSH e nënshkruan atë së bashku me miratimin e komandantëve renegatë të UÇK-së, si një fitore të madhe e lirisë dhe të barazisë që në fakt ajo sanksionoi në kushtetutë gjuhën shqipe si shifër e 20% dhe jo si gjuhë shqipe.
Një tjetër fakt të pagatishmërisë së komitëve për ndryshimet kushtetuese e ka theksuar shpesh kreu i parlamentit Afrim Gashi, i cili ka thënë se në kampin qeveritar nuk ka vullnet politik politik për ta sjell në rend dite propozimin për hapjen e kushtetutës. Kjo do të thotë se despoti Micko nuk i bën “hesap” vasalët nga VREDI, megjithë “qurravitjet” e tyre për ndryshimet kushtetuese si premtim i pambajtur.
Pra, Afrim Gashi, si vredist po tregon shenja të qarta lojalizmi duke pranuar realitetin e vjetër jo vetëm mbi gjuhën shqipe por edhe për gjendjen lesheli të realitetit të ri në qeverinë e koalicionit, për mosgatishmërinë e premierit Micko ndaj ndryshimeve kushtetuese, përkundër udhëheqësve të tjerë vredistë që i ndryshojnë fjalët sipas interesit.
Ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin në muajt apo vitet që do të vijnë komitët dhe vredistët nuk japin garanca dhe shpresë për ndryshime, se bashkë me këto ndryshime do të shlyhet edhe 20% si referencë për gjuhën shqipe nga kushtetuta.
Megjithse kaluan gjashtë muaj nga premtimi dhe kushti i vredistëve për ndryshimet kushtetuese brenda këtij afati, ato nuk ndodhën dhe as VREDI nuk u tërhoq nga qeveria e koalicionit ashtu siç kishin premtuar para shqiptarëve dhe jo para despotit Micko.
Tani që ky afat kaloi vredistët po gemtojnë mbi rastin dhe po justifikohen para votuesve të tyre për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe se u duhen edhe pak kohë për ta bindur kryekomitin Micko, që së shpejti të filloj procedura e ndryshimeve kushtetuese por, ai nga ana tjetër ua ka bërë të qartë anëtarëve të koalicionit se nuk pranon ultimatume mbi këtë temë.
Në fund të kësaj rrëfenje të bukur mbi eurointegrimet shqiptarët “Severnës” s’kanë kujt t’i besojnë më!
T’i besojnë Afrimit që thotë se gjuha shqipe nuk është zyrtare, por përkthim teknik dhe se për ndryshimet kushtetuese nuk ka vullnet politik nga komitët, apo t’i besojnë Arbenit, Mexhitit dhe Bilit, të cilët thonë se gjuha shqipe me ligjin për gjuhët janë vija e kuqe që nuk kapërcehet dot!
Kurse për ndryshimet kushtetuese thonë se duhet edhe pak kohë, pavarësisht premtimeve se brenda gjashtë muajve do të bëheshin ato nuk ndodhën.
Kjo ishte “krisja” e parë e besimit të qytetarëve për mosmbajtje të premtimit nga ana e vredistëve që ishin angërdufur dhe zotuar më parë për “ndryshimi” që nuk erdhi, se brenda gjashtë muajve do të ndodhnin ndryshimet kushtetuese, si “çelës i portës së madhe” të hapjes së negociatave me BE-në.
Ky ishte zhgënjimi i parë i qytetarëve shqiptarë me VLENI-in që nuk ia vlejti t’i besohet se bashkë me ta do të vinte “ndryshimi”!
Medai Shaholli