“Urime e nderuar”, Mehmetaj për Jeta Statovcin: Nga Isa Mustafa te Uran Ismaili, tash e flakët në Vetëvendosje
Lirim Mehmetaj, gazetar, ka shkruar të mërkurën në Facebook për deputeten e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci.
Statovci është pjesë e “Guxo”, që garon sërish në zgjedhje në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, Mehmetaj e cilëson Statovcin si “servile”, për shkak se ka ndryshuar vazhdimisht parti politike. Fillimisht në anën e Isa Mustafës, më pas në kabinetin e Uran Ismailit, e tash GUXO-Vetëvendosje.
“Ehhh, kështu e ka Jeta… Nëse mendoni se këta bredharakët e partive të tjera që kanë përfunduar në Vetëvendosje janë veç të gjeneratës së vjetër e keni gabim. Serviliteti është sëmundje që të kap qysh në rini, ja për shembull si këtë zonjën Jeta Statovci. Një herë pranë e pranë Isa Mustafës, si asistente te Imet Rrahmanit. Në kërkim të “kontributit për Kosovën”, ndërrohet ministri, ndërron edhe e nderuara Statovci. Përbirohet në kabinet te Uran Ismailit. Tjetër njeri e tjetër parti, po kështu e ka Jeta. Si përfundim, prapë ndërron pushteti, ndërron edhe zonja. Tash e kemi të flaktë në Vetëvendosje”, ka shkruar Mehmetaj.
Madje, ai thotë se Statovcit “i ka mbetur vetëm Lista Serbe”.
“Do të mund të thosha se i ka mbetur edhe Lista Serbe, por kur kemi parasysh bashkëpunimin e thellë VV-Lista Serbe, atëherë në njëfarë forme e ka të provuar përmes Vetëvendosjes edhe këtë parti. Urime e nderuar, vetëm përpara, kapi 500k”, ka thënë Mehmetaj. /Gazeta Express