Kuvend,interpelancat kundër Mexhitit, Stoilkoviqit, Toshkovskit, Isenit dhe Dautit

65

Kuvendi sot do të fillojë seancën e 29-të ku në rend dite janë pesë interpelanca. Katër interpelanca janë dorëzuar nga deputetët e Frontit Evropian kundër punës së zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni nga LD. Interpelanca e pestë është dorëzuar nga Partia E Majta për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.

Shumica e partive parlamentare si nga pushteti ashtu edhe opozita nuk do t’i pranojnë interpelancat e iniciuara për katër ministrat aktual, ndërsa për interpelancën e Dautit deklaruan se do të kenë qëndrim para seancës së sotme. Mirëpo, thonë se edhe nëse interpelanca për te kalon, Fronti Evropian mund ta kandidojë përsëri Dautin për kryetare të Komisionit.

Shumica e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, deputetët e koalicionit VLEN, LSDM dhe E Majta do të votojnë kundër katër interpelancave të dorëzuara pas ndodhive të festës së Flamurit shqiptar.

Sipas Rregullores së Kuvendit, për interpelancat debati dhe votimi do të jenë ndaras. Do të debatojnë aq deputetët sa janë paraqitur për fjalim, por në fund të ditës, pra para mesnatës duhet të votohet. Megjithatë, deputetët shpresojnë se i gjithë debati mund të përfundojë brenda një dite.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në takimin e fundvitit me gazetarë informoi se çdo interpelancë do të shqyrtohet ndaras dhe se mund të diskutohet gjatë gjithë ditës, varësisht se sa deputetë janë paraqitur. Megjithatë, shtoi ai, në fund të ditës duhet votuar.

Sipas tij, interpelanca si instrument nuk ka asnjë pasojë juridike dhe nuk ka fuqi ekzekutive. Ai është më shumë një mjet demokratik për diskurs politik për një temë, për një bartës të detyrës ose një person të zgjedhur dhe të emëruar nga Kuvendi.

Comments