Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

60

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot iu konfirmua se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

Në një postim në Facebook, ajo e ka quajtur këtë një lajm të shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës. Kjo iu konfirmua Osmani në takimin me Zëvendës Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

“;Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo shtoi se ekipet e dy shteteve do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

Comments