Kabineti izraelit e shtyn votimin e paktit të armëpushimit me Hamasin

108

Një takim i kabinetit të sigurisë në Izraelit për miratimin e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin në Gaza është shtyrë për më vonë të enjten, raportojnë mediat izraelite, përderisa thuhet se negociatorët në Katar janë duke i zgjidhur hollësitë e fundit të marrëveshjes.

Sipas transmetuesit publik izraelit, “Kan TV”, takimi i kabinetit, që pritej të fillonte në orën 11, është shtyrë për shkak të diskutimeve të vazhdueshme të partisë Zionizmi Religjioz për të ardhmen e saj në koalicionin qeveritar, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në raport thuhet se kryeministri Benjamin Netanyahu nuk do ta mbledhë kabinetin derisa kryetari i Zionizmit Religjioz, Bezalel Smotrich, t’i japë përgjigje për atë nëse partia e tij do të tërhiqet nga koalicioni apo jo.

Zyra e Netanyahut pretendoi se Hamasi është tërhequr nga disa marrëveshje dhe po krijon një “krizë” të minutës së fundit gjatë finalizimit të marrëveshjes për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.

“Kabineti izraelit nuk do të mblidhet derisa ndërmjetësit ta njoftojnë Izraelin se Hamasi i ka pranuar të gjitha elementet e marrëveshjes” – thuhet në njoftim.

Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri i Katarit, presidenti në largim i ShBA-së, Joe Biden, e presidenti në ardhje, Joe Biden, njoftuan se një marrëveshje ishte arritur, por Netanyahu ka vazhduar që të këmbëngulë se pakti përfundimtar nuk është nënshkruar dhe se disa hollësi të pazgjidhura mbeten.

Comments