Arsyetim për gjuhë të urrejtjes: Ky është vendimi i RTK-së me të cilin e ndaloi transmetimin e spotit të Koalicionit për Familjen

105

Transmetuesi Publik i Kosovës, ka vendosur ta ndalojë transmetimin e një spoti televiziv të Koalicionit për Familjen.

Vendimi është marrë nga ekipi i zgjedhjeve në RTK, me arsyetimin se spoti ka gjuhë të urrejtjes, dhe një gjë e tillë bie në kundërshtim me standardet profesionale të RTK-së.

Në vendimin e RTK-së të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se gjuha e urrejtjes është e ndaluar edhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe si rezultat, RTK-ja nuk do ta transmetojë këtë spot.

“Pas shqyrtimit të përmbajtjes së videos promovuese të fushatës tuaj, pasi kemi identifikuar shqetësim të mundshëm në lidhje me përmbajtjen. Në veçanti është e mundur që një pjesë e deklaratave në video të prekë parimet e barazisë, dinjitetit dhe të drejtat e grupeve të caktuara të shoqërisë, që mund të interpretohen si shkelje e ligjeve dhe rregulloreve të vendit”, thuhet në vendim.

“Për këtë arsye, kërkojmë që të bëhet një ndryshim për të shmangur çdo keqinterpretim ose shkelje të mundshme të këtyre parimeve dhe ligjeve, prej të cilave mund të penalizohemi financiarisht nga KPM. Ne kemi kërkuar udhëzim nga KPM si të veprohet në raste të tilla”, thuhet në vendimin që e ka parë Nacionale.

Pas këtij vendimi, në debatin e mbrëmshëm, kandidati Visar Korenica, e lëshoi studion në shenjë proteste.

“Me këtë po shihet qartë që dikush këtu në RTK nga udhëheqësit kanë instruksione të drejtpërdrejta nga partia në pushtet me e ndalë aktivitetin e koalicion për Familjen. Nuk keni me mbërri. Jam në studio për me e shfaq tendencën e transmetuesit publik që mos me leju me dal mesazh i ynë në publik. Nuk është tendencë, është dokument i nënshkruar dhe i dërguar në koalicion”, tha Korenica gjatë largimit.

Më vonë, në një postim në rrjete sociale, Korenica tregoi se çka përmban spoti të cilin e ka ndaluar RTK-ja.

“I bëj thirrje Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar këtë marrezi dhe për të garantuar që RTK të sillet si një medium i qytetarëve, e jo si një zgjatim propagandistik i pushtetit. Liria e shprehjes nuk është e negociueshme! Demokracia nuk mund të funksionojë pa pluralizëm!Deklaratat e liderit të Koalicionit për Familjen, Eman Rrahmani, i referohen Ligjit Nr. 2004/32, Ligjit për Familjen të Kosovës, më saktësisht nenit 14, ku lejohet vetëm martesa mes gjinive të ndryshme. Caku i cenzurës nga pushteti sot ishte Koalicioni për Familjen. Nesër mund të jetë radha e dikujt tjetër. Duhet të themi “stop cenzurës” në kohë, sepse nesër mund të jetë vonë”, ka shkruar Korenica.

Këtë vendim e ka kritikuar ashpër edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Është një zhgënjim i madh dhe një akt i papranueshëm që RTK, e ndikuar nga partia në pushtet, ka vendosur të sanksionojë një parti politike – Koalicionin për Familje – duke refuzuar transmetimin e spotit të saj publicitar. Ky veprim përbën një formë të hapur të censurës dhe një përpjekje për të heshtur një zë që mbron vlerat tradicionale. Por, pavarësisht çdo përpjekjeje për ta mohuar këtë realitet, e vërteta mbetet e pandryshuar: ashtu si në SHBA, edhe në Kosovë ekzistojnë vetëm dy gjini – mashkullore dhe femërore. Dhe pikërisht këtë të vërtetë, Koalicioni për Familje e ka në themel të kauzës së tij!”, ka shkruar Pacolli.

RTK-ja është kritikuar edhe më herët për ndikim nga pushteti, sidomos pas emërimit të drejtorit Rilind Gërvalla, një përkrahës publik i VV-së e dikur edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

Pikërisht RTK-ja kishte zgjedhur ta sulmojë Nacionalen duke transmetuar një lajm të rrejshëm, kinse Nacionale paguhet nga Serbia.

Comments