Abdixhiku: Vizitën e parë si kryeministër do të jetë në SHBA për të kërkuar përhershmërinë e Kampit Bondsteel

66

Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vizitën e tij si kryeministër do ta bëjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa do të kërkojë që Kampi Bondsteel të jetë i përhershëm në Kosovë.

Gjatë tubimit elektoral në Vushtrri, kreu i LDK-së uroi presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se në qeverisjen e tij do të thellohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

“Vizitën e parë si kryeministër do ta bëjë në SHBA dhe kërkesën e parë do ta bëjë që kampi Bondstel të jetë i përhershëm dhe me një fjalë ’Zoti naltë e Amerika poshtë’”, u shpreh Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku foli për programin e tij elektoral, me theks të veçantë investimet që do t’i bëjë në këtë qytet nëse arrin të bëhet shef ekzekutivi.

“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpar jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5 për qind rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë: mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit, do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150 që në javën e parë në krye të Qeverisë”.

“Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur”, u shpreh Abdixhiku, teksa nuk harroi të përmend edhe themelimin e Ministrisë për Familjen.

“Për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për familjet tona, LDK do të themelojë për herë të parë, Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies, sipas modeleve Perëndimore. Sepse, për ne, të djathtit, familja është e shenjtë. Sepse, për ne, të djathtit, investimi në familje është investim në Kosovë. Prandaj, për çdo të porsalindur në Kosovë, për secilin të porsalindur në Kosovë, shteti ynë do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e vitit të parë. Për të rinjtë tanë, ata që janë në prag të mbledhjes së valixheve e ikjes nëpër botë, kemi Programin Kombëtar për trajnime në teknologji. Plot 40 mijë të rinj e të reja, në katër vjet, do të përfitojnë nga ky program trajnimi, që u jep edhe paga të larta, edhe vende të sigurta edhe qëndrim në Kosovë”, deklaroi Abdixhiku.

“Në siguri e mbrojtje, do t’i kemi 10 mijë polic, me polici në bashki – pra polic për secilën lagje në vend; do t’i kemi 6 mijë ushtarë, 4 kazerma të reja e 2 lagje të reja ushtarake. Siguria jonë, mbrojtja jonë, janë detyrat tona”, deklaroi i pari i LDK-së.

E kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, tha se Vushtrria është qyteti i parë që iu bashku LDK-së në kohën kur u themelua kjo parti.

“Sonte i gjithë populli kudo nëpër botë kujton atin themeltar, presidentin historik Ibrahim Rugova në përvjetorin e vdekjes së tij. Rugovizmi është besim në Kosovë e në Dardaninë antike. Ne në Vushtrri themi se qyteti i traditës e forcës ishte qyteti i parë që iu bashkua LDK-së”, u shpreh ai, teksa si investim madhor e përmendi ndërtimin e ngrohtorës së qytetit.

Comments