Shpërthimi në Pejë, sulmohet familja Dezdari – zbulohet motivi i dyshuar i rastit

258

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në hapësirat e biznesit të familjes Dezdari në Pejë.

Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten në mesnatë në drejtim të lokalit që është pronë e familjes.

Policia, në një njoftim zyrtar për rastin, tha se mjeti dyshohet të jetë granatë dore.

“Sot rreth orës 02:05 minuta policia është informuar nga viktima se në rrugën ‘Besnik Lajqi’ në Pejë, në një lokal, dyshohet se persona të panjohur kanë gjuajtur një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, në objektin e tij”, njoftoi policia të enjten.

Prona e sulmuar e familjes Dezdari ndodhet përgjatë rrugës ‘Besnik Lajqi’. Në lokalin përdhes të objektit ndodhet lokali, i cili është demoluar gati plotësisht, ndërsa një kat më lartë banojnë dy vëllezërit e familjes Dezdari, me bashkëshortet, nënën dhe katër fëmijët.

Një nga anëtarët e familjes, në një deklaratë për Paparacin të enjten, tha se është përpos lokalit, është demoluar edhe një veturë në pronësi të familjes.

“Shpërthimi ka ndodhur në orën 01:55 këtu në pronën e familjes ku unë banoj. Kanë qenë katër fëmijë brenda pronës, si dhe gruaja shtatzënë”, ka thënë anëtari i familjes Dezdari. “Është pronë biznes dhe banim. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa krejt biznesi është demoluar, pra dritaret, garazha dhe një veturë është demoluar e gjitha”.

Sulmi mund të ishte parandaluar nëse Policia e Kosovës do t’i trajtonte seriozisht paralajmërimet që i mori përmes thirrjeve telefonike disa orë para se të kryhej akti.

Paparaci ka siguruar dëshmi se policia, përmes qendrës së saj të thirrjeve, ishte telefonuar tri herë nga një qytetar i cili ka vërejtur lëvizje të dyshimta të një veture pranë shtëpisë së familjes Dezdari të enjten në orët e para të mesnatës.

Por, policia nuk ka reaguar, tha një anëtar i familjes Dezdari për Paparacin.

Rasti i cili e tronditi familjen disa anëtarëshe dyshohet se ka ngjarë me motiv hakmarrjen.

Anëtari i familjes me të cilin bisedoi Paparaci të enjten, tha se njëri nga vëllezërit e familjes është kërcënuar gjatë muajve të verës së këtij viti, lidhur me çështjen e hetimeve për sulmin me mjet shpërthyes që ka ndodhur në një biznes tjetër në Pejë në vitin 2023.

Ai ka thënë se të gjitha rastet e kërcënimeve i ka lajmëruar në Policinë e Kosovës.

Policia tha se personat përgjegjës nuk janë identifikuar ende dhe se rasti është proceduar për hetime në Prokurorinë e Shtetit. /Paparaci.com

Comments