Haradinaj i përgjigjet Gërvallës: Gradën e parë ma ka dhënë UÇK-ja ime, të dytën NATO
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur ministres se Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila dje e ka quajtur gjeneral të vetëshpallur.
Në tubimin e AAK-së në Gjilan, Haradinaj ka treguar se gradën e parë ia ka dhënë UÇK-ja.
Më pas, ai ka treguar se yllin e dytë ia ka dhënë NATO.
“Unë nuk kam faj që pasi ma ka jep UÇK-ja ime gradën gjeneral brigade me një ylli. Sepse unë nga UÇK-ja kam vetëm një ylli, gjeneral brigade. Është rezultat i angazhimit tim që nuk e kam lëshuar asnjë ditë luftën, që kam qenë në lufte e krejt këto. Po pastaj NATO ma ka jep yllin dytë. Tash po e tregoj edhe ngjarjen. Bile oficeri që ma ka jep këtë të dytën është gjerman, gjenerali Klaus Rainhard dhe ceremoni ka ndodhur në Parlamentin e e Kosovës”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se në këtë ceremoni ka qenë bashkë me 50 oficer të tjerë të TMK-së.
“Unë nuk kam qenë deputet, por si oficer kemi qenë 50 oficerë të TMK-së. Unë atëherë e kam pasur gradën e lartë, sepse kam qenë zëvendëskomandant i përgjithshëm dhe gradën ma ka dhënë Kushneri, aty ka qenë komandanti i KFOR-it, ka qenë ceremoni solemne e NATO-së”, ka thënë Haradinaj.
Kurse, para tubimit në Gjilan, Haradinaj ka folur edhe për media lidhur me këtë çështje.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Gërvalla deklarohet në këtë mënyrë për shkak të kritikave që ai ka ndaj Albin Kurtit.
“Ajo flet kështu sepse unë shefit të saj ia kam hequr maskën dhe çeben”, ka thënë Haradianj.
Çfarë tha Gërvalla?
Në fjalimin e djeshëm në Deçan, Gërvalla e akuzoi rëndë Haradinajn, duke e quajtur “të ashtuquajtur hero i Çakorrit”.
“Ju i njihni mirë ata që në të kaluarën ju premtuan dhe ju mashtruan. E njihni edhe të ashtuquajturin hero të Çakorrit, i cili sot ju premton anëtarësim të NATO-s. Madje, madje brenda tre muaj madje” – tha mbrëmë Gërvalla.
“Ende pa i fshirë fotografitë me Radojçiqin, thotë që kryeministri dhe qeveria e juaj e Kosovës qenka bashkëpunëtore e Serbisë. Ky kryeministër që Radojçiqin e mposhti në Banjskë, ia shkatërroi bandat, ia konfiskoi pasurinë marramendëse, e dëboi nga Ksoova dhe e izoloi përgjithmonë në Serbi” – ka thënë ajo.
Gjithashtu, Gërvalla e quajti Haradinaj si “gjeneral të vetëshpallur”.
“Vëllezër, Kosova në NATO nuk hyn as me gjeneralë të vetëshpallur e as me katër milionë euro buxhet në vit për ushtri siç ishte më parë” – ka thënë Gërvalla.