Trump fton Netanyahun si liderin e parë të huaj në Shtëpinë e Bardhë

269

Presidenti amerikan Donald Trump e ka ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun të jetë lideri i parë i huaj që viziton Shtëpinë e Bardhë, në një koncesion të madh për një aleat të SHBA-së, i cili kërkohet nga gjykata ndërkombëtare penale për krime lufte.

Ftesa u bë në një letër nga presidenti amerikan, i cili ftoi kryeministrin izraelit të shkonte në Shtëpinë e Bardhë më 4 shkurt për të “diskutuar se si mund të sjellim paqe në Izrael dhe fqinjët e tij dhe përpjekjet për t’iu kundërvënë kundërshtarëve tanë të përbashkët”.

“Do të jetë nderi im t’ju pres si udhëheqësin tim të parë të huaj gjatë mandatit tim të dytë”, thuhej në letër, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Trump ka thënë se “nuk ka besim” se armëpushimi në Gaza do të mbahet. Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli dhe Hamasi duhet të fillojnë së shpejti negociatat për një paqe afatgjatë, për të cilën shumë kanë frikë se do të dështojë dhe do të çojë në një rikthim në gjakderdhje pas më shumë se 15 muajsh luftime.

Ndërkaq, në Gaza është rritur numri i ndihmave humanitare që hyjnë nën armëpushimin.

“Vetëm gjatë javës së kaluar, rreth 4200 kamionë që transportonin ndihma kanë hyrë në Rripin e Gazës pas inspektimeve”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Izraelit, Sharren Haskel.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, 600 kamionë ndihma duhet të hyjnë në ditë.

Comments