Walker lë në gjykatë dëshminë për krimet e luftës
William Walker, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, është paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
I pyetur nga KOHA përse është në gjykatë dhe a lidhet kjo me rastin e Masakrës së Reçakut, Walker ka thënë vetëm se ka marrë ftesë dhe se i është përgjigjur pozitivisht asaj.
“Më është bërë kërkesë që të vij në gjykatë dhe kur më kërkohet, unë vij”, ka thënë ai. “Supozoj se po (ka të bëjë me Masakrën e Reçakut, v.j.). Ashtu supozoj, por s’jam i sigurt. Në këtë gjë jam i përfshirë tashmë qe 26 vjet. Kështu që mezi po pres të flas”.
Seanca, ku pritet dëshmia e tij, është e mbyllur. Siç mëson KOHA, Walker ka ardhur në kuadër të asaj që quhet hetuesi e veçantë që bëhet në rastet kur vlerësohet se një dëshmi duhet të merret jashtë radhe shkaku i rrezikut që dëshmitari nuk do të mund të dëshmojë shkaku që llogaritet se është në moshë shumë të shtyrë.
Në sallë nuk ka të dyshuar, por vetëm avokatë të të dyshuarve në mungesë. I pranishëm është edhe prokurori special Ilir Morina.
Walker ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1998-99. Ai pati rol kyç në ekspozimin e Masakrës së Reçakut në Shtime para gjithë botës. Më 16 janar 1999, Walker vizitoi vendin e ngjarjes ku ishin ekzekutuar 45 civilë shqiptarë në një ditë. E pati cilësuar veprën krim kundër njerëzimit dhe akuzoi forcat serbe. Deklarata pati nxitur reagime të fuqishme ndërkombëtare.
Për këtë masakër deri tashti janë dënuar dy serbë, por asnjëri nuk është duke vuajtur burgimin – njëri është në arrati e tjetri është dënuar në mungesë.
Walker është 89-vjeçar.