Evropa në udhëkryq: Fuqi e ardhshme globale apo vetëm fuqi rajonale?

159
fresco

Shkruan: Nefail Emini

Invazioni rus ndaj Ukrainës, tre vjet më parë, shkaktoi një tërmet të fuqishëm gjeopolitik, jo vetëm në Evropë, por edhe në të gjithë botën. Kjo ndodhi jo vetëm për faktin se u shkel në mënyrë flagrante e drejta ndërkombëtare, por edhe për faktin se vendosi fatin e shteteve më të vogla dhe më të dobëta në dorë të interesave të fuqive të mëdha. Ky moment shfaqi se sa e pafuqishme është Evropa për të mbrojtur kufijtë, sigurinë dhe aleatët e saj.

midle

Fillimi i luftës dhe po ashtu fillimi i negociatave në Arabinë Saudite mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë për fatin e Ukrainës, e gjetën Evropën totalisht të papërgatitur. Sikur të mos mjaftonte kjo, Evropa, fuqia determinuese e politikës globale për shekuj me radhë, tani shikon se si të tjerët po e përcaktojnë të ardhmen e saj. “Lufta e Ftohtë”, një term që ishte përdorur për thuajse 45 vjet për të përshkruar konfliktin e heshtur mes dy superfuqive dhe sferave të influencës, kishte bërë që shumë studiues të besonin se një luftë e tillë nuk kishte më vend në historinë e kontinentit. Por duket se ajo po rikthehet edhe më fuqishëm aty ku lindi, pra në Evropë. Për dallim nga Lufta e Parë e Ftohtë, kjo e dyta do të jetë edhe më e pa parashikueshme, pasi tani kemi një zhvendosje të fuqishme gjeopolitike në kontinentin e vjetër dhe Evropa nuk është më pjesë e shahut të politikës globale.

E gjithë kjo situatë e re po i ngjan një Jalte II, por me një ndryshim shumë të rëndësishëm: pa pjesëmarrjen e asnjë fuqie apo shteti nga Evropa, edhe pse këtu do të vendoset fati i vetë kontinentit. Për herë të parë, për më shumë se 250 vjet, Evropa nuk do të jetë më ajo që ka shkruar fatin e popujve dhe shteteve të botës, dhe për më keq, tani të tjerët do ta shkruajnë fatin e saj. Kjo flet për atë se sa shumë kanë ndryshuar qendrat e fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare në dekadën e dytë të shekullit XXI, dhe tani qendra botërore e dukshme e vendimarrjes nuk i ka mbetur fuqi tjetër përveç se të shprehë revoltën dhe kundërshtinë ndaj marrëveshjes që po gatuhet për Ukrainën, por pa pasur mundësi të bëjë diçka më tepër.

Këto negociata i kanë dhënë një goditje të fuqishme prestigjit të Evropës si fuqi globale, e cila do të ketë pasoja të mëdha gjeopolitike për kontinentin e vjetër dhe të ardhmen e tij si aktor me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare që duhet të merret në konsideratë në të ardhmen. E gjithë kjo për shkak se, nëse nuk je pjesë e tavolinës ku vendoset fati i kontinentit tënd, si mund të ndikosh në fatet e kontinenteve dhe shteteve të tjera? Si do të jetë reagimi i qendrave të fuqisë të kontinentit ndaj zhvillimeve të tij, mbetet të shihet në ditët në vijim, por nuk pritet shumë, duke marrë parasysh plogështinë ekonomike, politike dhe ndasitë e mëdha që ata kanë mes vete. Evropa do të ndryshojë rrënjësisht pas një veprimi të tillë; a do të shkojë ajo drejt një riforcimi si një aktor me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, apo do të shndërrohet në një ndjekës të fuqisë së madhe (SHBA-ve) dhe do të shëndrrohet në një fuqi rajonale? Kjo mbetet të shihet.

Comments