Exit Poll-i në Gjermani: CDU-ja kryeson me rreth 29%, AfD 20%, SPD 16.5%

Gjermania është në prag të një ndryshimi të madh politik. Partia konservatore CDU/CSU pritet të jetë forca kryesore në Bundestagun e ardhshëm, me rreth 29% të votave, duke e pozicionuar liderin e saj, Friedrich Merz, si pretendentin kryesor për postin e kancelarit.
Megjithatë, vëmendja më e madhe në këto zgjedhje nuk është tek konservatorët tradicionalë, por tek rritja e paprecedentë e Alternativës për Gjermaninë (AfD).
E djathta ekstreme po përjeton një ngjitje historike, me një parashikim prej 20% të votave, gati dyfish më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021, kur mori vetëm 10.4%. Ky është rezultati më i lartë për një parti të ekstremit të djathtë në Gjermani që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Faktorët që e çuan AfD-në në këtë sukses
Rritja e AfD vlerësohet se ka ardhur në një kontekst të mbushur me pasiguri: inflacioni i lartë, kriza energjetike, pakënaqësia ndaj qeverisë aktuale të drejtuar nga socialdemokratët (SPD) dhe një retorikë e ashpër ndaj emigracionit – një temë që ka ndihmuar këtë parti të fitojë mbështetje të madhe.
Një tjetër faktor vlerësohet edhe ndikimi i Elon Musk. Musk, miliarderi dhe CEO i Tesla-s dhe SpaceX, dhe tani një figurë e lartë në administratën e Trump-it, ka mbështetur hapur AfDnë.

Në dhjetor, ai shkoi edhe më tej, duke publikuar një opinion mbështetës në gazetën gjermane Welt am Sonntag, një lëvizje që u pa si një ndërhyrje direkte në politikën gjermane.
Partitë e tjera
Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (SPD) e kancelarit Olaf Scholz, që aktualisht drejton qeverinë, po përballet me një rënie të ndjeshme, me vetëm 16% të votave.
Partnerët e koalicionit të saj, Të Gjelbrit, pritet të marrin 12%, ndërsa partia liberale FDP po lufton për të kaluar pragun zgjedhor prej 5%.
Një tjetër rezultat interesant është performanca e Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW), një parti e re e themeluar nga politikania e majtë e njohur për qëndrimet e saj euroskeptike dhe kundër sanksioneve ndaj Rusisë.
Rezultati i parashikuar
Partia Përqindja
CDU/CSU 28.5%
AfD 20%
SPD 16.5%
Të Gjelbrit 12%
E majta 9%
BSW 5%
FDP 5%