Spitali “8 Shtatori” në Shkup do të rinovohet me 12 milionë euro

Projekti për rinovimin e Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” do të kushtojë 12 milionë euro. Do të rinovohet çatia, do të krijohen kushte më të mira për trajtimin e pacientëve, do të blihen pajisje moderne dhe spitali do të ketë shtatë salla të reja operacioni.

Paratë për këtë projekt janë siguruar nga “TAV Maqedonia”, kompania turke që duhej të ndërtonte aeroportin e mallrave në Shtip, por në qershor 2021 fondet u ridestinuan për ndërtimin e projekteve infrastrukturore në komunat e vendit.
Ministria e Shëndetësisë së fundmi ka njoftuar se “8 Shtatori” do të bëhet një qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga Shkupi, Kumanova dhe Velesi.
Sot është paralajmëruar një konferencë e përbashkët për media nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, ku do të shpallet fillimi i rinovimeve të aeroportit të Ohrit dhe spitalit të Shkupit.