Mbrojtja kundërshton pranimin e deklaratave të mëhershme të Ismet Tarës në prova

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë katër ekipet e mbrojtjes kanë kundërshtuar pranimin në prova të dokumenteve të Zyrës së Prokurorit të Speializuar (ZPS), që janë deklaratat e mëhershme të dëshmitarit Ismet Tara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ekipet e mbrojtjes parashtruan se Tara po pengon procesin për mosdhënie të dëshmisë, për çka u kërkuan që të shterohen mjetet juridike që të detyrohet të dëshmojë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pasi erdhi dëshmitari në sallë së bashku me avokatin e tij, Idriss Van Straalen, atij iu kërkua që të dalë nga salla pasi mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati, Rodney Dixon në emër të të gjitha ekipeve të mbrojtjes pati kundërshtime për dokumentet që ZPS-ja i kërkoi të pranohen në prova gjyqësore.
Dixon tha se përveç kundërshtimit të pranimit të disa provave, dëshmitarit i është caktuar një avokat kujdestar dhe mbi këtë bazë procesi duhet të fillojë nga fillimi.
“Do të duhet që prokuroria të vazhdojë me pyetjet e prokurorisë njëherë dhe pastaj të na u jepet neve fjala për të bërë pyetje tona”, tha ai.
Avokati shtoi se parashtrimet e tyre janë lidhur me tri dokumentet që janë propozuar për t’u pranuar në prova gjyqësore të cilat sipas tyre duhet të rrëzohen dhe vendimi duhet të merret nga trupi gjykues përpara se mbrojtja të vijojë me pyetjet.
Dixon u mbështet në një Rregullore, ku e citoi Rregullin 143. Ai shtoi se ZPS-ja nuk është përpjekur fare që të kalonte specifikisht në rregullore dhe të tregonte se cila pjesë e tyre lidhet me cilin parashikim të rregullores.
Veç kësaj, ai tha se përderisa dëshmitari nuk po jep dëshmi të drejtpërdrejtë dhe pa praninë e avokatit, mendojnë që rregullat përkatëse për këtë dëshmitar janë 153 dhe 155.
“Prokuroria e di që nuk ekziston baza për ta bërë këtë gjë dhe nuk ka dhënë fare hollësi mbi bazën e kërkesave të tyre”, tha Dixon.
Avokati Dixon tha Rregulli 143 flet për marrjen e dëshmisë së dëshmitarit dhe jo për pranueshmërinë në prova të deklaratave të dëshmitarit. Tha se kjo bie në Rregullin 153, 154 dhe 155.
Ai shtoi se është e pazakontë që të përdoret kjo bazë ligjore që është përdorur nga Prokuroria.
Dixon tha se mendojnë që duhet të ishin marrë masa të tjera për ta detyruar dëshmitarin që të japë dëshmi.
“Është sugjestive dhe spekuluese që të thuhet se ai nuk e ka ndryshuar mendimin e vet”, tha Dixon.
Avokati i Veselit tha se nuk është marrë masë që t’i thuhet dëshmitarit se ai do të gjobitet ose të dërgohet në burg nëse nuk jep dëshmi. Tha se nuk janë në situatë që dëshmitari nuk do të japë dëshmi, por që ai ka thënë që do të japë dëshmi në qoftë se zgjidhet çështja e dokumentit që e kërkoi gjatë ditës së hënë.
“Prokuroria e ka ngatërruar më tej situatën”, tha Dixon.
Gjykatësi Charles Smith III tha se kjo situatë nuk ka ndodhur nga Prokuroria. Dixon menjëherë e mohoi atë që e tha, por gjyqtari e përsëriti se një gjë të tillë e tha avokati. Megjithatë, Dixon tregoi se Prokuroria s’ka bërë përpjekje për ta gjetur dokumentin.
Dixon kundërshtoi pranimin në prova edhe shënimin përgatitor 2, me arsyen se edhe dëshmitari ka thënë që komentet në të ai nuk i ka bërë.
“Kërkojmë nga trupi gjykues që të zbatoni Rregulloren në mënyrë rigoroze. Në qoftë se pranoni shënimin përgatitor, si rezultat do të ketë një efekt dimono mbi dokumentet e tjera të cilat as ato nuk mund të pranohen”, tha Dixon.
Avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli tha se qëndrimi i tyre është që trupi gjykues duhet t’i marrë të gjitha masat që të detyrojnë dëshmitarin që të dëshmojë.
“Ne parashtrojmë që trupi gjykues duhet të kundërshtojë përpjekjet nga dëshmitari për të penguar procesin gjyqësor si në rastin e këtij dëshmitari dhe duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme të cilat në mënyrë të arsyeshme e detyrojnë dëshmitarin që të iu përgjigjet pyetjeve si nga ZPS-ja ashtu edhe nga mbrojtja”, tha ajo.
“Ndërkohë që trupi gjykues pranon dëshminë e mëparshme të dëshmitarëve të cilët kanë refuzuar të dëshmojnë dhe kanë refuzuar të pranojnë pyetjet nga të akuzuarit, së pari nga detyrimi i trupit gjykues në ofrimin e opsioneve të tjera. Ne mendojë që qëndrimi i trupit gjykues shkel të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve”, tha avokatja, duke shtuar se kjo mbetet në diskrecionin e gjyqtarëve.
Ajo tha kundërshtojnë marrjen në pyetje të dëshmitarit pa u shteruar të gjitha mjetet juridike për ta detyruar që të dëshmojë.
Aryse tjetër për mospranim të këtyre dëshmive, Tavakoli përmendi se në shënim përgatitor thuhet se dëshmitari ka pasur disa paqartësi për disa fjalë në deklaratat e tij të mëhershme.
Po ashtu, edhe ekipet tjera të mbrojtjes u pajtuan me kolegët e tyre për kundërshtimin e pranimit në prova materiale të dokumenteve të propozuara nga ZPS-ja ditën e djeshme.

Ndërsa, avokati i Selimit tha se ka efekte cenuese nëse pranohen deklaratat e dëshmitarit pasi ai evidentoi sipas tij disa gabime në transkriptat dhe deklaratat e tij të mëhershme.
Si rrjedhojë, njëzëri mbrojtjet thanë se dëshmitari po e pengon procesin me mosdhënien e dëshmisë.
Prokurorja Vega Iodice, tha se dëshmitarit i është dhënë urdhër që t’iu përgjigjet pyetjeve e po ashtu i është dhënë dokumenti, duke shtuar se janë marrë të gjitha hapat që kishin mundësinë të ndërmerrnin dhe prapë ai refuzoi.
Iodice tha se në një postim në Facebook, dëshmitari ka deklaruar që do t’iu përgjigjet pyetjeve të ekipeve të mbrojtjes. Tha se u nënkuptua që për mbrojtjen ai ishte i gatshëm të dëshmonte, por jo për ZPS-në. Iodice tha se deklaratat janë të pranueshme sipas rregulloreve dhe se nuk ka pse të shpenzohet kot koha e gjykatës për t’i bërë pyetje një dëshmitari i cili qartazi është shprehur se nuk do të përgjigjet.
Dixon deshi të flas për postimin e dëshmitarit në Facebook, por Smith tha se ata duhet të flasin për atë që dëshmitari bën në sallën e gjyqit dhe jo jashtë saj.
Si rrjedhojë, gjykatësi tha se do i pranojnë këto dokumente në prova materiale duke u bazuar në Rregullin 143, 138 dhe urdhrit për zhvillimin e procesit gjyqësor por që arsyet e pranimit do bëhen të ditura më vonë.
Në fillim të seancës, Smith tha se avokati Luka Mishetiq që përfaqëson Thaçin ka pyetur në qoftë se do kërkohen dëshmitarë shtesë nga ana e trupit gjykues.
“Mund t’ju them aktualisht që nuk synojmë që të thërrasim ndonjë dëshmitarë apo të kërkojmë dëshmi shtesë”, tha gjykatësi.
Megjithatë, ai përsëriti se nëse ndodhë diçka do e bëjnë këtë gjë, por që për momentin nuk planifikojnë të bëjnë diçka të tillë.
Po ashtu, ai dha edhe dy urdhra me gojë dhe i pari kishte të bënte me kërkesën e përbashkët të ekipeve të mbrojtjes për të paralajmëruar ZPS-në që të respektojë detyrimet e saj sipas urdhrit për zhvillimin e procesit dhe që ka nxjerrë apo ka nënvizuar nënkuptime negative me besueshmërinë e dëshmitarëve 04491.
‘Mbrojtja argumenton se prania e një dëshmitari dhe pasja e një këshilltari juridik si dhe kërkesa e dëshmitarit për të dhënë dëshmi lidhur me saktësinë çon në orientim ose në synim të dëshmitarit dhe një gjë e tillë nuk duhet të pranohet pasi ndikon mbi themelin dhe mbi përmbajtjen e dëshmitarit”, tha Smith.
Ndërsa në përgjigjen e saj, ZPS-ja kishte thënë se mbrojtja nuk ka përcaktuar ndonjë shkelje ose ndonjë paragjykim që rrjedhë nga sjellja e ZPS-së nga seanca përgatitore e dëshmitarit dhe nuk ka ofruar bazën juridike në kërkesën e saj.
Mbrojtja ishte kundërpërgjigjur sërish lidhur me informacionin e nxjerra nga dëshmitari ligjor dhe që iu është prezantuar dëshmitarit 04491 dhe ka ushtruar ndikim mbi të sa i takon dhënies së dëshmisë dhe që këshilltari është bërë dëshmitar në proces gjyqësor.
Kure, mbrojtja e viktimave kishte parashtruar se mbështet parashtrimet e ZPS-së.
Trupi gjykues ka vendosur që kërkesa e mbrojtjes nuk ka besueshmëri dhe nuk ka themelësi, duke e rrëzuar atë.
Sipas gjykatësit, ata kanë vërejtur se këshilltari ligjor gjatë seancës përgatitore ka nënshkruar thjesht proceset e brendshme që kanë përfshirë këtë dëshmitar dhe se ka nënvizuar që dëshmitari i ka treguar atij lidhur me procese gjyqësore të ndodhura në nivel lokal.
Veç kësaj, ai tha se gjatë leximit, dëshmitari kishte konfirmuar që ai është këshilluar dhe kjo ishte pasqyruar në shënimin përgatitor.
“Nuk ka asgjë që synon që ZPS-ja është përpjekur që të synojë të ndikojë mbi dëshminë e këtij dëshmitari. Trupi gjykues konstaton se ZPS-ja ka vepruar në përputhje me urdhrin e trupit gjykues për përshpejtimin e procesit gjyqësor. Nuk ka asnjë arsye të vlefshme”, tha ai.
Ai tha se nga këto materiale nuk ka ndonjë bazë që të nxjerret ndonjë mendim negativ sa i takon besueshmërisë së dëshmitarit.
Vlerësimi i besueshmërisë së këtij dëshmitari, Smith tha se do bëhet nga trupi gjykues duke u bazuar në faktet dhe rrethanat që janë të vlefshme dhe që janë në lidhje me këtë proces gjyqësor.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.